Arbëri

Gashi për arrestimin e gjuetarëve serbë: Nuk mund të jenë persona të thjeshtë

Bejtush Gashi

Policia gjatë së hënës njoftoi se ka arrestuar katër gjuetarë serbë të cilët kishin kaluar ilegalisht në territorin e Kosovës. Por, ish-ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, ka deklaruar se prokuroria duhet ta hetojë mirë këtë rast sepse ata mund të jenë edhe pjesëtarë të shërbimeve intelegjente.

Gashi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka kërkuar që të bashkëpunohet edhe me misionin e NATO-s në Kosovë për këtë rast.

“Nuk mund të kualifikohet si incident sepse ka ndikim në tri dimensione; kalim ilegal i kufirit, testim i reagimit institucional dhe shkelje e integritetit dhe tërësisë territoriale. Në rastin konkret prokuroria duhet të ndjekë të gjitha protokollet për arsyet e kalimit të jashtëligjshëm sepse ata mund të jenë pjesëtarë të shërbimeve inteligjente që kanë për mision testimin e reagimit të institucioneve të sigurisë përkatësisht shkallën dhe reagimin e institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës. Kërkohet bashkëpunim me misionin e NATO-s në Kosovë sepse ata mund të sigurojnë informacione shtesë për të vlerësuar qëllimin e hyrjes. Nuk mund të jenë gjuetarë a pjesëtarë të thjeshtë sepse raste të tilla kemi pasur kohë pas kohe”, deklaroi Gashi.

Sa i përket raportimeve serbe në lidhje me këtë rast, Gashi e quajti strategji për të krijuar dezinformim e për të pasur ndikim te bashkësia ndërkombëtare. Gjithashtu sipas tij edhe për të zhvendosur vëmendjen nga situata e brendshme e tensionuar në të cilën ndodhet shteti serb.

Plagosjen e rrëmbimin e Milan Vukashinoviq brenda territorit të Kosovës, ish-ministri Gashi e quajti rast serioz dhe sipas tij pesha e fajit i shkon edhe misionit të NATO-s për shkak që nuk e ka parandaluar një gjë të tillë.

“Ky rast është shumë serioz për faktin se është kidnapuar në territorin e Republikës së Kosovës nga institucionet shtetërore të Serbisë, përkatësisht xhandarmëria serbe. Adresa e kritikës këtu shkon edhe te misioni i NATO-s i pranishëm në Kosovës i cili ka për obligim që raste të tilla t’i parandalojë e t’ia tërheqë vërejtjen e Serbisë. Duhet siguruar informacione më të sakta për faktin se nga disa publikime, i njëjti ka pasur komunikime, ka blerë mjaltë nga një oficer dhe është ditur saktë se kur do të jetë aty me ç ‘rast është kidnapuar pastaj. Mundësi e mirë për të zhvilluar presion diplomatik, për t’i bërë presion Serbisë që të ndalojnë akte të tilla”, deklaroi Gashi.

Sipas ish-ministrit Gashi në rastin diplomatik nuk është shfrytëzuar sa duhet ky rast.

Sa i përket kushtëzimit të BE-së rreth heqjes së masave ndaj Kosovës me bartjen e pushtetit te kryetarët e zgjedhur serbë në komunat veriore, Gashi tha se kryetarët e rinj mund të kenë ndikim në komandantët e rinj të policisë, për të krijuar tensione. 

“Jo në kuptimin e drejtpërdrejtë por do të influencojnë në caktimin e personave që do të jenë lojal ndaj kryetarëve të ri dhe ndaj presioneve që mund të vijnë nga Serbia. Mund të ndikojnë për të krijuar grupe të cilat krijojnë tensione”, deklaroi Gashi duke iu referuar edhe detonatorëve që u gjetën më 15 nëntor në Leposaviq, me ç ‘rast sipas tij është pothuajse e pamundur të ndalohet plotësisht hyrja ilegale e armëve.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, dhjetë detonatorë ndezës me kabllo janë gjetur në Leposaviq nga njësi të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në afërsi të lumit të fshatit Gnjezhdan.

Për këtë rast reagoi edhe ministri i brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili tha se Serbia akoma planifikon sulme terroriste ndaj Kosovës. Por sipas Sveçlës shtrirja e Policisë së Kosovës, shmangi shumë sulme të rrezikshme terroriste që do të mund të ndodhnin.