James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, pritet të jetë në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, që do të nisin dëshminë e tyre më 15 shtator në Gjykatën Speciale në Hagë. E një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, të nisë paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve, në Hagë do të mbahet një protestë e organizuar nga OVL e UÇK-së për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj Dhomave të Specializuara.
Me këngë patriotike e me thirrje për drejtësi, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë qytetarë nga Kosova kanë filluar të grumbullohen për t’u nisur drejt Holandës.
Ata do të marrin pjesë në protestën e 14 shtatorit për të kërkuar drejtësi për ish-eprorët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, një ditë para se të nisë dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes së Thaçit.
Drejtuesit e OVL-së së UÇK-së kanë thënë se do të protestojnë për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj Dhomave të Specializuara.
E në mesin e dëshmitarëve pritet të jetë edhe James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
Një gjë të tillë Rubin e ka bërë të ditur për emisionin "Christiane Amanpour Presents: The Ex Files”.
“Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, ka thënë ai.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë dhe pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi nga mbrojtja e ekipit të Krasniqit, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë.
E dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit.
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë përmes një shkrese më 2 shtator ka njoftuar se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë, si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave, si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.