Njohje të së drejtës së pensionit të kontributdhënësve po kërkojnë ish-minatorët e minierës së Goleshit, që ishin larguar nga puna në vitet e ’90-ta. Të shtunën, ish-minatorët kanë shënuar 34-vjetorin e largimit nga puna nga regjimi i asaj kohe. Atëkohë afër dhjetëmijë minatorë ishin larguar nga puna e një pjesë e madhe ishin burgosur.
Në këtë përvjetor kanë shprehur varg kërkesash, pasi shumë prej tyre s’arritën t’i mbushin 15 vjet përvojë pune dhe pensionet e tyre nuk u miratuan.
Adil Shamolli, kryetar i shoqatës se minatorëve në Lipjan, ka thënë se aso kohe janë larguar me dhunë nga puna. Ai ka akuzuar institucionet e vendit se nuk kanë bërë asgjë për njohjen e kontributit të tyre.
“Përveç njohjes për pensione ne kërkojmë të njihet edhe kontributi i minatorëve qoftë për secilën ditë të punës. Pra, minatorët duhet të kenë edhe benefite të veçanta siç ndodh në vende të tjera”, ka thënë Shamolli.

Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Butyqi, ka thënë se minatorët duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë nga niveli qendror.
“Si minatorë keni dhënë kontribut të madh dhe keni lënë gjurmë në histori. Keni punuar dhe keni sakrifikuar shumë për vendin që sot po e gëzojmë lirinë, prandaj kjo është dashur të shpërblehet me dinjitet nga institucionet shtetërore të vendit me pensione dhe benefite të tjera”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka shtuar se komuna ua ka ndarë një zyrë të veçantë shoqatës së minatorëve me qëllim që të realizojnë aktivitetet e tyre.