Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, vlerëson se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, nuk e kërcënon Serbinë.
Shea, që ishte zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se bashkëpunimi do të jetë më tepër në çështje si shuarjen e zjarreve nëpër pyje, kërcënime mjedisore, pandemitë, e gjëra të tilla.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne nuk duhet t’i shohim forcat ushtarake vetëm duke bërë luftëra të mëdha dhe nuk e shoh aleancën që të jetë armiqësore ndaj Beogradit në asnjë mënyrë. Mendoj se Beogradi duhet të bashkëpunojë në këtë formë të bashkëpunimit rajonal, dhe do të ishte edhe si masë e rritjes së mirëbesimit. E sa për Serbinë, po ajo shpenzon më shumë në Ushtri sesa kërkohet duke pasur parasysh faktin se askush nuk po e kërcënon Serbinë në këtë moment”, tha Shea në Interaktiv të KTV-së.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa ditë më parë kishte thënë se është i shqetësuar me këtë marrëveshje bashkëpunimi mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë dhe tha se po “përgatitet një sulm ndaj Serbisë”.
“Faktet nuk e vërtetojnë këtë pikë vështrimi të Vuçiqit. Serbia nuk kërcënohet nga askush. Është në proces të bashkëngjitjes në Bashkimin Evropian, ndonëse ngadalë. Po thith shumë investime nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe ka një partneritet për paqe me NATO-n, madje edhe kryen ushtrime të përbashkëta me NATO-n, ani pse presidenti Vuçiq nuk e përmend këtë shpesh publikisht. Kështu që ideja se Serbia është sikurse Ukraina duke u përballur me një rrezik të madh të jashtëm, thjesht nuk është e vërtetë. Përsëri po e them, nëse shikoni protestat e mëdha gjatë vitit të kaluar në Serbi, njerëzit nuk po kërkojnë nga qeveria të shpenzojë para të panevojshme në aeroplanë rusë, kinezë apo raketa. Ata thjesht po kërkojnë të përmirësohen infrastruktura, shërbimet publike, arsimi pas të gjitha atyre të shtënave nëpër shkolla që kemi parë. Kjo është çfarë njerëzit e Serbisë duan dhe natyrisht nëse Qeveria e Serbisë nuk ofron çfarë njerëzit duan, atëherë mendoj se Qeveria do të zhduket më parë sesa do të zhduken njerëzit”, tha Shea.
Shea beson se luftërat e mëdha janë kryer në rajon dhe se problemin më të madh në Ballkanin Perëndimor e sheh në “ato që njihen si zona të hirta të luftës apo luftëra hibride”.
“Me fjalë të tjera, jo duke dërguar forca ushtarake përgjatë kufijve, të cilat do të ishin katastrofike, por më shumë përpjekje për të minuar qeveritë e tjera me sulme kibernetike, propagandë, fushata të dezinformatave dhe ndonjëherë edhe duke dërguar formacione të armatosura sikurse në incidentin e Banjskës, kur kishte forca paramilitare që synuan të krijonin tensione, krijonin ndasi, përçajnë shoqëritë”, ka thënë Shea.