Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kabashi: Kushtetuta duhet të amendamentohet, ka hapësira për keqinterpretim

Ditar Kabashi

Ditar Kabashi, ligjërues i së drejtës Kushtetuese, Në ditën e Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se ky dokument juridik duhet të amendamantohet pasi ka hapësira të cilat keqinterpretohen. Kabashi mori shembull aktgjykimin në rastin e ish-presidentit Behgjet Pacolli ku kërkohej pjesëmarrje e detyrueshme dhe ekzistimi i së paku 80 votave në kuti.

Kabashi shtoi tutje se një nen tjetër i Kushtetutës, ai 69, thotë se seancat kanë kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve dhe nuk bën përjashtim se a është seancë e rregullt apo për zgjedhjen e presidentit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Aktgjykimi i vitit 2010 në rastin e Behgjet Pacollit lidhur me pjesëmarrjen e detyrueshme dhe ekzistimin e së paku 80 votave në kuti është mënyra më problematike e të gjithë sistemit kushtetues përkitazi me presidentin. Kushtetua nuk e kërkon një gjë të tillë. Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 te rasti Pacolli vendosi që kriteri prej 2/3 njëherësh nënkupton patjetër minimum 80 vota në kuti të votave. Duhet ta dallojmë kuorumin për mbajtjen e seancës dhe kriterin për zgjedhjen e një titullari të një organi shtetëror. Unë mendoj që duhet ndryshuar. Neni 69, paragrafi 3 thotë qartë që seancat kanë kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve që i bie minimum 61 dhe nuk bën përjashtim çfarë seance është”, ka thënë Kabashi në emisionin “tre8tre”.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Zgjedhja e presidentit në Kosovë dështoi më 5 mars si pasojë e mungesës së kuorumit vendimmarrës në Kuvend, shkaku që në sallë kanë qenë të pranishëm vetëm deputetët nga grupi parlamentar i LVV-së dhe ata të partive nga radhët e pakicave joserbe.

Kandidatë për këtë pozitë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku. Gjykata Kushtetuese e ka caktuar datën 28 prill të fundit për zgjedhjen e presidentit a presidentes së re të Kosovës.

Kabashi tutje ka thënë se meqenëse nuk dihet nëse vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, do të ishte mirë që sa më parë të procedohet me zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Një ditë më parë përfundoi intervistimi i 22 kandidatëve dhe u rekomanduan gjashtë për t’u votuar në Kuvend. Vetëm dy prej tyre do zgjidhen në pozitat e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuesve.

Kabashi në emisionin “tre8tre” në KTV, ka thënë se aktualisht janë shtatë gjyqtarë, por konsiderohet se janë në vijën e kuqe, pasi sipas tij, nëse mungon një prej tyre atëherë nuk mund të mbahet asnjë seancë e që do të thotë se nuk mund të merret as ndonjë vendim.

“Sfidë ka qenë numri shtatë i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga nëntë sa duhet të jenë sepse Ligji për Gjykatën Kushtetuese parasheh që kuorumi për mbajtjen e seancave në Gjykatë Kushtetuese është shtatë prandaj ne jemi në atë vijën e kuqe sepse nëse mungon një gjyqtar nuk mund të mbahet asnjë seancë. Pra, nuk mund të nxjerret asnjë lloj vendimi dhe praktikisht ne nuk do të kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale. Aktualisht nuk paraqet ndonjë pengesë ligjore por mund të sëmuret ndonjë gjyqtar dhe atëherë as me Gjykatë Kushtetuese funksionale nuk do të mbesim”, ka thënë Kabashi.