Komuna e Kaçanikut gjatë dy vjetëve të fundit ka ngecur në shpenzimin e gjithsej 814 mijë e 722 euro, të cilat ishin të planifikuara për investime kapitale e mallra dhe shërbime.
Të gjitha këto mjete janë bartur, me vendim të Kuvendit, nëpër kategori të ndryshme që të shpenzohen gjatë këtij viti.
Në komunë kanë thënë se mosshpenzimi i mjeteve ka ndodhur për shkak të inflacionit apo rritjes së çmimeve të përgjithshme, derisa operatorët ekonomikë nuk kanë mundur t’i zbatojnë kontratat e lidhura me komunën.
Por, subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, po e cilëson si keqmenaxhim të parasë publike nga ekzekutivi i Komunës.
Ndërkaq, në vendimin e Kuvendit Komunal të Kaçanikut, të cilin e ka siguruar KOHA, sqarohet se bartja e mjeteve të pashpenzuara për vitin 2021 dhe 2022 do të barten në buxhetin fiskal për vitin 2023.
“Shuma e mjeteve për bartje nga viti fiskal 2021 në vitin fiskal 2023 është 319,729.52 euro. Ndërkaq, totali i mjeteve të pa shpenzuara nga vitet 2021 dhe 2022, të cilat kërkohen të barten në vitin 2023 është shumë prej 814,722.67 euro”, thuhet në vendim. Ky vendim po ashtu sqaron se buxheti i komunës së Kaçanikut për vitin 2023 në shumë prej 10,674,689.00 euro, pas bartjes së mjeteve të pa shpenzuara nga vitet paraprake në vlerë prej 814,722.67 euro do të arrijnë shumën e përgjithshme prej 11,489,411.67 euro”, thuhet në vendim.
Ndërkaq, mjetet e pa shpenzuara sipas vendimit të kuvendit do të shpenzohen gjatë këtij viti për mallra dhe shërbime, pastaj për shërbime komunale, subvencione dhe transfero, si dhe shpenzime kapitale.
Ardita Rrahmani, shefe e grupit të kuvendarëve nga radhët e LDK-së në Kaçanik, nëpërmjet një reagimi ka thënë se Komuna e Kaçanikut ka keqmenaxhuar me paranë publike gjatë dy vjetëve të fundit. Sipas saj gjatë vitit 2021 janë keqmenaxhuar gjithsejtë 319 mijë e 993 euro, ndërkaq gjatë vitit 2022 494 mijë e 729 euro.
“Pushtetarëve të komunës sonë u janë mbetur pa shpenzuar nga keqmenaxhimi 814.722 euro nga dy vitet e fundit. Mjete këto të cilat nga Kuvendi Komunal janë votuan për t’u bartur në buxhetin e vitit 2023 për një arsyeje- për të mos shkuar mbrapsht këto mjete që do të i shërbenin gjithë qytetarëve në investime kapitale që supozohej të i bënte komuna. Ky pushtet ne nivel qendror- që për ne janë të njëjtë si pushteti aktual komunal në Kaçanik, ani pse thirren në dallime në këtë rast dhe jo vetëm, kanë diçka të përbashkët. Pra, Ministria e Financave pa të drejtë ligjore duke iu referuar ligjit për qeverisje lokale dhe ligjit për financa lokale e të tjera, nga mosdija dhe për inate politike po tenton që mjetet e pa shfrytëzuara t’i marrë dhe t’i tjetërsoi”, ka kritikuar Rrahmani.
Sipas saj, me buxhetin e ulet që e ka aktualisht komuna e Kaçanikut, nuk po menaxhohet siç duhet.
“Ndërkaq, në anën tjetër e kemi një Qeveri që lere që na ka harruar si komune (ngase s’kemi asnjë investim tash e disa vite nga ta, ani pse në fushata elektorale na barazonin me komuna të mëdha), po edhe ato pak mjete që nuk janë shpenzuar, po tentojnë të i rikthejnë në nivel qendror”, ka shtuar Rrahmani.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besik Ilazi, ka sqaruar se të gjitha mjetet e pa shpenzura gjatë dy vjetëve të kaluara do të shpenzohen brenda këtij viti, ndërkaq operatorët ekonomik të cilët i kanë ndërprerë punimet shkaku i inflacionit do të rifillojnë së shpejti. Ilzai ka thënë për KOHËN se komuna ka pasur kontrata dyvjeçare, ndërkaq në vitin e kaluar për shkak të inflacionit operatorët ekonomik kanë kërkuar mjete shtesë për realizim të kontratave/
“Kemi pritur prej Qeverisë që të miratohet ligji për mbulim të inflacionit gjë që nuk është arritur deri në nëntor, ndërkaq tani sipas ligjit, operatorëve ishim të detyruar t’ia mbulojmë një mbulesë shtesë për realizim të kontratave. Kemi pasur një kontrata me 125 mijë euro që ka mbetur pa u zbatuar dhe kemi edhe disa kontrata të tjera më të vogla. Pra kontratat me operatorë kanë mbetur pezull, ndërkaq mjetet i kemi bartur për vitin 2023 dhe po presim. Me këtë ligjin e ri të nivelit qendror komunës iu kanë ndaluar gjithsejtë 320 mijë euro. Pra operatorët ekonomik prapë do t’i marrin mjetet e planifikuara dhe do të vazhdojnë t’i zbatojnë kontratat”, ka thënë Ilazi.
Ai ka sqaruar se niveli qendror ka kërkuar që mjetet e vitit 2021 dhe ato të vitit 2022 të pa shpenzuara të ndahen dhe të barten në mënyrë të veçantë me vendim të kuvendit komunal.
