Ballkani i Suharekës ka pësuar humbje shumë të thellë të enjten mbrëma në Dublin të Irlandës nga Shamrock Rovers. Ballkani pësoi disfatë 4:0, në ndeshjen e kthimit të kualifikimeve për Ligën e Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.
Suharekasit pësuan një gol në pjesën e parë dhe tri të tjerë në pjesën e dytë për disfatën 4:0.
Rory Gaffney shënoi golin e epërsisë në minutën e 45-të. I njëti lojtar shënoi edhe golin e dytë në minutën e 48-të.
Golin për 3:0 për Shamrock Roversin e shënoi Joshua Honohan në minutën e 55-të.
Golin e katërt për irlandezët e shënoi Graham Burke në minutën e 67-të.
Ballkani është skuadra më e suksesshme kosovare. Ka siguruar dy herë rresht grupet e Ligës së Konferencës, por jo edhe për herë të tretë.
