Një qytetareje iu vodh çanta e dorës para ndërtesës së Komunës së Mitrovicës, por kamerat e sigurisë të vendosura në objektin e këtij institucioni nuk i shërbyen policisë për ta zbardhur rastin. Ato nuk punojnë prej më shumë se tre vjetësh. Autoritetet lokale nuk i dinë arsyet e kësaj, por thanë se të rejat do të vendosen sivjet
Në pjesën e përparme të objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut janë të vendosura së paku tri kamera sigurie, por ato nuk e kryejnë shërbimin për të cilin janë montuar.
Prej më shumë se tre vjetësh ato janë jashtë funksioni, edhe pse çdo ditë dhjetëra qytetarë u drejtohen zyrave të këtij institucioni për shërbime të ndryshme.
Një qytetare ka treguar në kushte anonimitet se para disa javësh i është vjedhur çanta e dorës para hapësirave të objektit të Komunës së Mitrovicës. E Burime të KOHËS treguan se gjatë hetimit të rastit Policia nuk ka pasur mundësi të ketë qasje në imazhet e kapura nga kamerat e sigurisë, meqë ato nuk kanë funksionuar.
E, për siguri më të madhe, kamerat funksionale janë të domosdoshme, thotë një qytetar.
“Natyrisht se edhe në perëndim, kamerat vendosen shkaku i sigurisë. Kjo është siguri. Po në qoftë se kamerat nuk i keqpërdorin për kah ana private, ajo do të ishte e mirë për sigurinë tonë”, ka thënë kjo qytetare.
Në Komunën e Mitrovicës nuk treguan arsyen pse kamerat nuk funksionojnë.
Drejtori i Administratës, Gëzim Stavileci, tha se në këtë gjendje ishin tre vjet më parë kur nisi mandatin pushteti i ri lokal, dhe theksoi se kamerat do të ndërrohen sivjet.
“Kamerat në Komunën e Mitrovicës nuk janë funksionale prej një kohe të gjatë dhe besojmë që këtë vit do të fillojmë procedurat për të vendosur kamerat në funksion. Ky problem është evident, nuk e di kohën e saktë. Unë e kam gjetur që nuk funksionojnë kamerat. Jam drejtor prej vitit 2021. Në 2021 nuk kanë funksionuar”, ka thënë Stavileci. “Kemi marrë hapa deri më tash, por nuk kemi pasë mundësi t’i konkretizojmë për shkak të buxhetit që na është marrë prej përmbaruesve. Këtë vit i kemi mjetet, kemi me i dorëzu procedurat dhe me vazhdu me i funksionalizu”.
E, njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, vlerëson se vënia në funksion e kamerave do të duhej të ishte prioritet i komunës.
“Ne po jetojmë në kohën e teknologjisë dhe në atë aspektin kriminalistik, një fotografi ose video vlen sa 2 mijë fjalë... Ky aspekti teknik medoemos se do të duhej të shpejtohej, medoemos se do të duhej të zgjidheshin procedura të shpejta sepse këtu po flasim për aspektin e sigurisë njerëzore, pra private, aspektin e sigurisë familjare, por edhe aspektin e sigurisë publike. Sepse jashtë Komunës mund të ndodhin gjëra që nëse do të ishin kamerat aty do ta ndihmonin edhe sigurinë publike. Në këtë rast do ta ndihmonin edhe Policinë e Kosovës”, ka thënë Dashevci. “Andaj çdo neglizhim i procedurave në këtë rast të prokurimit apo çfarëdo qofshin në aspektin teknik, duhet të shpejtoheshin në mënyrë imediate”.
Policia nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS se në sa raste penale hetimet janë vështirësuar për shkak të mosfunksionimit të kamerave të sigurisë.
Në objektin e Komunës së Mitrovicës janë të vendosura dhjetëra kamera që menaxhohen nga autoritetet lokale, ndërsa ato të vendosura në qytet menaxhohen nga Policia.