Arbëri

Kandidatët me vota të vjedhura pritet të certifikohen si deputetë pa asnjë përgjegjësi penale

Rinumerimi

Foto: Driton Paçarada

Veprime të reja hetimore janë ndërmarrë nga Prokuroria e Shtetit për ta zbardhur rastin e vjedhjes së votave në fazën e numërimit për komunat e Obiliqit, Deçanit dhe Junikut. E pavarësisht se rezultatet pritet edhe të certifikohen përfundimisht në mesin e muajit shkurt, deri tash nuk është raportuar për intervistim të asnjë kandidati.

Pa asnjë përgjegjësi penale kandidatët me vota te vjedhura pritet të certifikohen si deputet javën e ardhshme.

Prokuroritë kanë arrestuar e intervistuar komisionerë e kryesues të komisioneve të numërimit, por Prokuroria në Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë dhe Prishtinë nuk kanë qenë në gjendje ta konfirmojnë nëse kanë intervistuar kandidatë për deputetë.

KOHA ka pyetur këto prokurori për motivet që i kanë identifikuar deri tash te të dyshuarit për të kryer vepra penale, por disa nga to kanë thënë se janë në faza të hershme të hetimit.

“Me datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Prokuroria në Pejë ka intervistuar 30 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Deçan e Junik.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, tha se të intervistuarit janë komisionerë.

“Do të pasojë ky hetim edhe me komisionerë në këto komuna ku më pas do të merren në intervistë edhe kryesuesit e këtyre qendrave të votimit të cilët kanë qenë të implikuar në këtë proces dhe do të të merren veprime të tjera për komunat e tjera që i kemi në juridiksion si prokurori... Një numër i komisionerëve, përfshirë dhe kryesuesit, janë diku 200 persona që nga sot kanë filluar të intervistohen, po flas për komunat që i mbulojmë ne, që janë pesë. Kemi filluar me komunën e Deçanit dhe Junikut dhe pastaj do të pasojnë komunat e tjera”, theksoi Nikçi.

Për shtim votash në rajonin e Pejës, ku bëjnë pjesë edhe Komuna e Klinës, Deçanit e Istogu, prin Komuna e Pejës.

Në këtë komunë u manipuluan më së shumti vota brenda Vetëvendosjes – apo 2.469 sosh.

Për shembull, votat iu shtuan në favor të Taulantit Kelmendi të Vetëvendosjes, 955 sosh, Xhavit Halitit me 458 vota, Ali Berishës së AAK-së me 172 vota e Fatmir Asllanit nga LDK-ja 112 vota.

Në një intervistë në KTV prokurorja e koordinatorja për zgjedhjet, Laura Pula, ka thënë se fillimisht do të intervistohen komisionerët dhe kryesuesit e më pas edhe kandidatët.