Arbëri

Kandidati i VV-së për deputet thotë se u sulmua fizikisht

Selman Sokoli

Selman Sokoli, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka thënë se është sulmuar fizikisht nga disa persona të mërkurën.

Ai ka thënë se madje ka pasur ndalim/kidnapim për disa minuta.

“Para pak çastesh jam sulmuar fizikisht nga disa persona, me gjasë pjesëtarë të sigurimit fizik në një qendër tregtare, për një çështje plotësisht të drejtë dhe të ligjshme nga ana ime. Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, sjellja e tyre banditeske eskaloi në dhunë fizike dhe ndalim/kidnapim të paligjshëm për disa minuta. Organet e ndjekjes janë njoftuar dhe tashmë janë duke u marrë me rastin. Pres dhe shpresoj që drejtësia të veprojë pa vonesë dhe që këta persona të përfundojnë aty ku e kanë vendin banditët dhe cubat, para organeve të drejtësisë, e jo të lirë dhe në kontakt me qytetarët”, ka shkruar ai në Facebook.

KOHA ka dërguar pyetje online te Policia e Kosovës. Sapo të ketë njoftim zyrtar, artikulli do të plotësohet.

Sokoli është asamblist i VV-së në Prizren.

Nga numërimi i rreth 80 për qind të votave për deputetë, ai ka marrë 540 vota dhe është jashtë listës së kandidatëve që pritet të hyjnë në Kuvend.