Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Afrim Kasolli, ka thënë se partitë që në legjislaturën e fundit ishin në opozitë, janë ato që i kanë krijuar Lëvizjes Vetëvendosje terren për fitoren e thellë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kasolli ka thënë se PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja me mosveprimin e tyre vitin e kaluar, i ka ofruar një avantazh të madh Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Me mosveprimin e tyre ata janë faktorë kryesorë që kanë ndikuar që VV-ja të ketë këtë rezultat spektakolar elektoral. Ndoshta ky rezultat ka qenë më tepër i papritshëm për Vetëvendosjen sesa për subjektet opozitare, pasi ato nuk kanë bërë gjë që të presin ndonjë rezultat tjetër”, tha Kasolli në “Interaktiv” të KTV-së.
Kasolli ka thënë se gjatë ngërçit politik të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje me Kurtin në krye krijoi një narracion se është viktimë politike “e komploteve për bllokadë politike të subjekteve opozitare bashkë me Listën Serbe”.
“Ato opozitare tentonin të krijonin narracion për mungesë vullneti politik për kompromis nga ana e partisë fituese dhe se ajo po e mban peng vendin”, tha Kasolli.
Por, ai shtoi se me kalimin e kohës u rrit presioni social dhe ekonomik, pasi ekzistonte rreziku vendi të mos ketë buxhet.
“Në këtë drejtim Kurti e shfrytëzoi me mjeshtëri situatën, duke etiketuar subjektet opozitare si fajtore të bllokadës. Me mosveprimin e tyre, subjektet opozitare i krijuan atij terren të jashtëzakonshëm, të pastër politik, që Kurti të jetë lojtari i vetëm në skenë”, tha Kasolli.
Vetëvendosje, bazuar me në rezultatet preeliminare të publikuara nga KQZ-ja, ka fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 51 për qind, duke vendosur rekord.
Kasolli: Nëse shkohet në zgjedhje duke mos u votuar Osmani për presidente, LDK-ja do të pësonte goditje të re
Ish-deputeti Afrim Kasolli ka thënë se nëse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e propozon Vjosa Osmanin për presidente edhe për një mandat, pa pasur paraprakisht diskutime me subjektet tjera politike, atëherë do të thotë se ai po provokon zgjedhje të reja të parakohshme.
“Në këtë mënyrë i vetmi subjekt politik që do të ndodhej në pozitë të palakmueshme është LDK-ja. Nëse shkohet në zgjedhje duke mos u votuar Vjosa Osmani si kandidate nga Kuvendi i Kosovës, atëherë LDK-ja ka gjasa të pësojë edhe një goditje të re elektorale. Nëse kanë dëshmuar zgjedhjet një gjë, atëherë është se VV-ja një pjesë të madhe të votave i merr kryesisht nga trupi elektoral i LDK-së”, tha Kasolli në “Interaktiv” të KTV-së.
Osmanit i skadon mandati në mars. Ajo më herët ka thënë se është e interesuar edhe për një mandat si presidente.