Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka quajtur hap të duhur drejt zhbllokimit thirrjen e presidentes Vjosa Osmani për takim me subjekte politike.
KDI-ja ka shkruar në Facebook se partitë duhet të marrin pjesë në takimin me Osmanin, në mënyrë që sipas kësaj organizate, të shërbejë si mundësi për të nxitur dialogun politik e ndërpartiak, “si domosdoshmëri për tejkalimin e situatës aktuale”.
Instituti i ftoi partitë që pjesëmarrjet të mos i bëjnë vetëm për simbolikë, “por për shprehje e një përgjegjësie konkrete për t’i shërbyer funksionalizimit të institucioneve.
“KDI mirëpret ftesën e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, për takime konsultative me partitë politike më 15 maj, si një hap të duhur drejt zhbllokimit të ngërçit aktual dhe përmbushjes së detyrimit të saj për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve. KDI rikujton se ka kërkuar ndërmarrjen e një iniciative të tillë më shumë se dy javë më parë, duke theksuar se seancat e përsëritura të Kuvendit, pa marrëveshje politike dhe pa progres real, po dëmtojnë dhe pamundësojnë konstituimin e institucioneve. Në këtë fazë kritike, kur vendi ndodhet në një ngërç institucional që po minon funksionimin demokratik, inkurajojmë të gjitha partitë politike të marrin pjesë në këtë takim, në mënyrë që ai të shërbejë si një mundësi për të nxitur dialogun politik e ndërpartiak – si domosdoshmëri për tejkalimin e situatës aktuale”, thuhet në njoftim.