Arbëri

KDI: Konstituimi i Kuvendit nuk duhet të shihet vetëm si çështje formale por si domosdoshmëri

Kuvendi i Kosovë seanca e natës 26 korrik

Foto: Driton Paçarada

Një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës, Instituti Demokratik i Kosovës, iu ka bërë thirrje deputetëve që të përfundojnë të gjithë procesin për konstituimin e kuvendit, rrjedhimisht të zgjidhet nënkryetari nga komuniteti serb.

KDI-ja thotë se një gjë e tillë nuk duhet të shihet vetëm si çështje formale por si domosdoshmëri.

“Saktësisht 8 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, përmbyllja e konstituimit të Kuvendit nuk mund të shihet vetëm një çështje formale, por një hap i domosdoshëm për forcimin e proceseve demokratike dhe garantimin e funksionimit efektiv të institucioneve kushtetuese. Qytetarët e vendit, të cilët kanë dhënë verdiktin e tyre përmes votës, tanimë kanë humbur shumë dhe presin veprime politike zhbllokuese dhe racionale”, thuhet mes tjerash në thirrjen e KDI-së.

Të premten, 10 tetor, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Ajo do të fillojë nga ora 10:00, njoftohet në faqen zyrtare të Kuvendit.

Prej 8 tetorit ka nisur afati 12-ditor pë konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese.

Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.

Në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe, Kushtetuesja ka konstatuar se është kushtetues edhe votimi i ndarë për nënkryetarët, e cila ishte kontestuar edhe nga një numër i partive në Kuvend që ose abstenuan në procesin e votimit për nënkryetarin serb, ose nuk votuan fare. Kësisoj, gjykata ka konstatuar se zgjedhja e Emilja Rexhepit për nënkryetare është në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata në arsyetim ka theksuar se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për ta mbajtur të bllokuar konstituimin. Ajo ka elaboruar rrethanën kur Kuvendi mund të funksionojë edhe pa të gjithë nënkryetarët.

Megjithatë Kushtetuesja ka theksuar se në rastin konkret dështimi për konstituim i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për deputetët e propozuar. Në rastet e deritashme nuk kanë votuar deputetët e Lidhjes Demokratike, por edhe ata të Listës Serbe. Në disa raste nuk kanë marrë pjesë në votim as deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ua ka rikujtuar deputetëve obligimin për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar, qoftë për, kundër apo duke abstenuar.