Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka lidhur direkt me krizën parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, rënien e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.
KDI-ja ka numëruar pasojat që ka shkaktuar bllokada politike në zbatimin e reformave anti-korrupsion.
“Për herë të parë, qeveria në një mandat të plotë nuk arriti të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit. Për më keq, viti 2025 u përmbyll pa u dekretuar Kryeprokurori i Shtetit, për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme nga Presidentja, Kryeministri dhe bartës të tjerë institucionalë. Mosplotësimi i kësaj pozite kyçe për një periudhë të gjatë dobësoi funksionimin e sistemit prokurorial dhe krijoi pasiguri institucionale në raport me luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, vlen të theksohet që korrupsioni nuk ishte ndër temat qendrore të programeve zgjedhore në dy palë zgjedhjet e vitit të kaluar, ndryshe nga ciklet e mëparshme zgjedhore”, thuhet në një komunikatë për media nga KDI-ja.
Sipas KDI-së viti 2025 u karakterizua edhe nga hetimet e akuzat ndaj disa zyrtarëve të lartë qeveritarë. Këtu ka përmendur çështjen e “rezervave shtetërore” në të cilën kryeministri Albin Kurti refuzoi të paraqitet para Prokurorisë Speciale si dëshmitar.
“Refuzimi i bashkëpunimit me organet e ndjekjes penale nga nivelet më të larta ekzekutive minon besimin në pavarësinë e drejtësisë dhe dëmton rëndë kulturën e llogaridhënies publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e korrupsionit. Megjithatë, përkundër hetimeve dhe aktakuzave, në Kosovë ende nuk ka pasur asnjë aktgjykim përfundimtar për dënim me burgim efektiv të zyrtarëve të lartë publik për vepra korruptive – çka krijon perceptim të pandëshkueshmërisë, duke ulur besimin publik në drejtësi dhe në efektivitetin e luftës kundër korrupsionit”, thuhet në komunikatë.
KDI-ja ka vlerësuar se mungesa e Kuvendit e pengoi miratimin e projektligjeve të pakos së reformës dhe amendamenteve kushtetuese për procesin e vettingut.
“Disa ligje kyçe, përfshirë atë për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, vijuan të presin verdiktin e Gjykatës Kushtetuese deri në janar të këtij viti. Edhe pse Ligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës hyri në fuqi dhe nga janari 2026 pritej të prodhoheshin efektet e para të reformës, zhvillimet e fundit në KPK shpërfaqin pengesa të brendshme dhe rezistencë të hapur ndaj rikalibrimit institucional nga një pjesë e strukturave të vjetra të sistemit prokurorial. Gjatë fundit të vitit të kaluar, një grup anëtarësh të vjetër të KPK-së morën vendime të kundërligjshme, duke shkarkuar ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe duke bllokuar emërimin e një anëtari të ri, në përpjekje për të penguar rikonfigurimin e kuorumit që do të lejonte zbatimin e reformës”, thuhet në komunikatë.
Aty është theksuar po ashtu se Qeveria në detyrë ka marrë vendime me pasoja buxhetore në mungesë të transparencës e kontrollit parlamentare e se ka pasur raste edhe të përdorimit të fondeve publike për qëllime elektorale. Po ashtu është thënë se ka pasur edhe raste kur zyrtarë të partisë në pushtet kanë ushtruar presion ndaj mediave, organizatave të shoqërisë civile e institucioneve të drejtësisë përmes diskursit delegjitimues dhe sulmeve publike.
“Këto veprime nuk janë vetëm retorikë politike, por përpjekje për të dobësuar mbikëqyrjen kritike. Ngushtimi i hapësirës qytetare është tregues i drejtpërdrejtë i dobësimit të kontrollit demokratik mbi pushtetin. Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e pozitave të larta vendimmarrëse gjatë kësaj periudhe u mbajtën me ushtrues detyre, çka dobëson përgjegjësinë institucionale dhe pengon stabilitetin e vendimmarrjes”, thuhet në njoftim.
KDI-ja ka vlerësuar se stagnime ka pasur edhe në fusha të tjera që lidhen me integritetin publik, përkatësisht prokurimin dhe shpenzimin e parasë publike.
KDI-ja ka bërë thirrje që Kuvendi tani të formohet sa më shpejt pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke marrë për bazë edhe stagnimin e vitit të shkuar si pasojë e krizës politike.
“Përfundimisht, KDI vlerëson se stagnimi i këtij viti është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës politike dhe mungesës së funksionimit të plotë institucional. Pa Kuvend funksional, pa reforma të zbatuara dhe pa ndëshkueshmëri reale, progresi kundër korrupsionit mbetet i brishtë. Për këtë arsye, formimi i menjëhershëm i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit është kusht thelbësor për rikthimin e funksionimit normal të shtetit dhe rifillimin e reformave të bllokuara”, thuhet në njoftim.
KDI-ja ka kërkuar që Kuvendi e Qeveria e re të vendosin në krye të agjendës luftën kundër korrupsionit, përfshirë miratimin e strategjisë kombëtare kundër korrupsionit, finalizimin e paketës së reformës në drejtësi, zbatimin e plotë të reformës në Këshillin Prokurorial dhe sigurimin e ndëshkueshmërisë efektive për korrupsionin e nivelit të lartë.
“Po aq urgjente është rivendosja e kontrollit parlamentar mbi vendimmarrjen buxhetore, forcimi i transparencës në prokurimin publik dhe mbrojtja e hapësirës qytetare nga presioni politik. Pa këto hapa konkretë dhe të menjëhershëm, çdo premtim për luftë kundër korrupsionit rrezikon të mbetet deklarativ dhe të shndërrohet në regres afatgjatë për sundimin e ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, i cili mat perceptimin e korrupsionit në 182 shtete të botës, duke u bazuar në të dhëna nga burime të pavarura ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, World Economic Forum dhe organizata të tjera globale kredibile.
Kosova këtë vit ka shënuar 43 pikë dhe është renditur në vendin 76-të në mesin e 182 shteteve. Me një rënie prej një pike krahasuar me vitin e kaluar, si dhe me renditje prej tri pozitash më poshtë, Kosova ka ndërprerë trendin gradual të rritjes të cilin e kishte shënuar për rreth një dekadë. Rënia në Indeks paraqet stagnim në luftën kundër korrupsionit dhe lidhet drejtpërdrejt me krizën parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e cila bllokoi funksionimin normal të institucioneve, rrjedhimisht zbatimin e reformave të rëndësishme në fushën anti-korrupsion.
Në krahasim me rajonin e Ballkanit Perëndimor, renditja sipas pikëve është si vijon: Mali i Zi (46), Kosova (43), Maqedonia e Veriut (40), Shqipëria (39), Bosnjë e Hercegovina (34) dhe Serbia (33). Kosova mbetet e dyta në rajon, por rënia e këtij viti ndërpret trendin e rritjes së viteve të fundit dhe e vendos vendin në një fazë stagnimi në një kohë kur rajoni në tërësi përballet me dobësim të institucioneve dhe reduktim reformash.