Arbëri

Kërkohet sinjalizim me pika të zeza për rrugën rajonale Ferizaj-Shtime

Rruga rajonale Ferizaj-Shtime gjatë dy vjetëve të fundit ka regjistruar rreth dhjetë aksidente me fatalitet, ndërkohë aksidenti i së mërkurës që mbetën të vdekur katër persona ka nxitur reagimin e ekspertëve të komunikacionit rrugor. Ata kërkojnë që kjo rrugë duhet të sinjalizohet me pika të zeza.

Rruga rajonale Ferizaj-Shtime gjatë viteve të fundit ka marrë disa jetë të njerëzve si pasojë e aksidenteve tragjike.

Një aksident i ngjashëm sikurse ai i vitit 2021 në fshatin Koshare ka ndodhur mbrëmë, në të cilin mbetën të vdekur katër persona.

Në këtë aksident ishin të përfshira tri vetura.

Policia ka thënë se aksidenti ndodhi shkaku se njëri prej

drejtuesve të veturës për arsye deri më tani të panjohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat e tjera.

Sipas njoftimit të Policisë, tri nga viktimat kanë vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa një ka vdekur në Emergjencën e Ferizajt.

Por aksidenti ka nxitur reagimin e ekspertëve të licencuar të komunikacionit të cilët po kërkojnë që kjo rrugë të sinjalizohet me pika të zeza.

“Në rregulla të përgjithshme të komunikacionit pikat e zeza duhet të vendosen kur brenda një intervali kohor më pak se tre vjet ndodhin më shumë se dy aksidente me fatalitet, atëherë rruga duhet të sinjalizohet me pika të zeza. E në këtë rast është fituar kushti për vendosjen e pikave të zeza, andaj Ministria duhet të marrë masa konkrete dhe të dalin të bëjnë matjet gjeometrike të rrugës, pjesën e sinjalizimit dhe elementet e tjera që ndikojnë në aksidente për ta vendosur pikën e zezë”, ka thënë Liridon Shahini, ekspert i komunikacionit dhe sinjalistikës rrugore.

Ai ka sqaruar se Policia e Kosovës duhet ta frekuentojnë më shumë këtë rrugë, derisa aksidentet janë të shpeshta me fatalitet.

Përfaqësuesi i fshatit Koshare, Sadik Qerimi, deklaron se disa herë ka bërë kërkesa në institucionet lokale për ndërtimin e një rrethrrotullimi, pasi që gjatë viteve të fundit ka pasur shumë aksidente.

“Kërkojmë nga Ministria e Infrastrukturës që të jenë të angazhuar në vendosjen edhe të disa shenjave për kufizim të shpejtësisë. Policia e Kosovës ka qenë mjaft e angazhuar në këtë rrugë, por prapë kërkojmë që të jenë prezentë në vazhdimësi, sepse këtu zhvillohet një shpejtësi e palejueshme”, ka thënë përfaqësuesi i fshatit Koshare, Sadik Qerimi.

Zyrtarët komunalë në Ferizaj kanë thënë se menaxhimi i rrugëve rajonale i takon nivelit qendror.

“Këto pjesë për të cilat po flasim përpos pjesës së rrugës që ka problematikë të jashtëzakonshme, ka edhe problem sinjalistika. Ne çfarë kemi pasur mundësi kemi bërë të mundur nga Komuna e Ferizajt, duke dërguar ekipet tona në vendet e ngjarjeve, si zyrtarët e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe ata të Emergjencës, mirëpo kaq është përgjegjësia jonë”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci.

Policia e Kosovës e as Ministria e Infrastrukturës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.