Përfaqësuesi special dhe udhëheqësi i Misionit të UNMIK-ut, Peter Due, ka prezantuar raportin më të fundit të UNMIK-ut për Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të enjten. Kosovën në këtë mbledhje po përfaqësohet për herë të parë ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca. Raporti përfshin periudhën gjashtëmujore, nga shtatori 2025 deri në mesin e marsit sivjet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSHBA-ja përsërit thirrjen për mbylljen e UNMIK-ut
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshill të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Tammy Bruce, ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së për mbylljen e misionit të UNMIK-ut.
Ajo ka thënë se udhëheqja nga institucionet e Kosovës dhe prania ndërkombëtare shpie në drejtimin e njëjtë se UNMIK-ut i ka ardhur fundi.
“UNMIK-u është krijuar më 1999 në bazë të Rezolutës 1244 për të ofruar një prani ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e mjedisit pas luftës në Kosovë. Ky ka qenë moment tjetër, mision tjetër dhe Kosova ka qenë vend tjetër. Tani kjo nuk është realiteti në terren. Nuk ka arsyetim që Kosova të trajtohet më 2026 sikur ë ishte në vitin 1999. Sot KFOR-i ndihmon që të ruhet siguria në rajon. UNMIK-u nuk luan më rol as qeverisës, as ushtarak e as të ndërmjetësimit. Nuk po adreson as sigurinë e as paqeruajtjen dhe nuk po e avancon as normalizimin”, ka thënë ajo.
Ajo u ka kërkuar shteteve që financojnë UNMIK-un që të pyesin veten se për çka po paguajnë në këtë mision.
Ndërkaq për raportin, ajo ka thënë se mesazhi i SHBA-së është i thjeshtë.
“Rruga e vetme përpara është normalizimi. Presidenti Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Shpresojmë që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, të dyja palët të ulin temperaturën dhe do të bëjnë deeskalim e do të ulen në tavolinë, do të punojmë për së afërmi me liderë që shohin nga e ardhmja jo nga e kaluara me një dialog të vërtetë e jo teatër”, ka thënë ajo.
Ndërkaq përfaqësuesi i Kinës ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për stabilitet në Kosovë.
“Konsolidimi është rruga e drejt për Kosovën. Bashkësia e komunave serbe duhet të implementohet, kjo është parakusht për stabilitet në Kosovë. Misioni I OKB-së për një kohë të gjatë ka luajtur rol për stabilitetin në Kosovë. Qëndrimi i Kinës në çështjen e Kosovës është i qartë, mbështesim palët që të bashkëpunojnë në kuadër të Rezolutës 1244 për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët përmes një dialogu të vërtetë. Në këtë proces sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Serbisë duhet të respektohet plotësisht”, ka thënë ai.
E përfaqësuesja e Greqisë mosnjohëse ka thënë se mirëpret zgjatjen e mandatit të EULEX-it po që se kërkohet, teksa ka bërë thirrje që e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian.
Konjufca: S’mund t’i besojmë Serbisë
Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk mund t’i besojë Serbisë pa llogaridhënie të qartë dhe garanci për ndalimin e agresionit.
Këtu ka marrë për bazë çështjen e mbrojtjes së terroristëve të Banjskës nga ana e shtetit të Serbisë.
Për raportin, Konjufca ka thënë se nuk e trajton mjaftueshëm sulmin terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s.
“Si Kosova ashtu edhe BE-ja ka bërë thirrje për vendosjen e llogaridhënies për këto tri vjet. Beogradi i ka trajnuar, e tani i mbron kryerësit e këtij akti terrorist”, ka thënë Konjufca. “Nuk mund t’i besojmë Serbisë, nuk mund të normalizojmë marrëdhëniet pa llogaridhënie të qartë e garanci për ndalim të agresionit. Po të ishte më i balancuar, më i saktë raporti i UNMIK-ut do të raportonte mbi zhvillimet në të gjithë rajonin, sidomos qasjen autoritare dhe destruktive të Beogradit”.
Konjufca ka shtuar se Kosova ka qëllim që të ofrojë siguri dhe t’i adresojë të gjitha kërcënimet në veri, për të ofruar ambient stabil për të gjithë qytetarët.
Konjufca në Këshill të Sigurimit: Serbia të përballet me realitetin, ta njohë Kosovën
Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet.
Konjufca ka shtuar se pengesa e vetme për normalizim raportesh është Serbia.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, ka thënë Konjufca.
Ai a thënë se Kosova ka thënë se përkundër lulëzimit të demokracisë në Kosovë, Beogradi ka bërë përpjekje për të vazhduar rolin e vet destruktiv, me ndërhyrje në zgjedhje dhe mbështetjen për Listën Serbe.
“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, ka thënë tutje ai.
Gjuriq pretendon se serbët në Kosovë përballen me margjinalizim
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se serbët në Kosovë po përballen me margjinalizim, arrestime të vazhdueshme dhe sulme.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gjuriq ka thënë se presioni mbi serbët “është bërë i normalizuar”.
Gjuriq ka thënë se në politikat e Qeverisë Kurti “serbët vazhdimisht etiketohen si ‘të tjerët’”.
Ai ka pretenduar edhe për sulme ndaj Kishës serbe.
“S’bëhet fjalë për incidente të izoluara”, ka thënë Gjuriq, duke pretenduar po ashtu se bëhet fjalë për “sistematizim të margjinalizimit”.
“Vetëm më 2025, 137 incidente me motive etnike janë regjistruar”, ka thënë tutje ai.
Gjuriqi është ankuar edhe për armatosjen e Kosovës. Ka thënë se kjo nuk mund të shihet si gjë “neutrale”.
Raporti i UNMIK-ut rithekson nevojën që sulmuesit e Banjskës të mbahen përgjegjës
Udhëheqësi i Misionit të UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij gjashtëmujor në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të enjten, ka theksuar nevojën që sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.
Në raportin e lexuar në fillim të mbledhjes, Due ka thënë se OKB-ja është e gatshme për bashkëpunim me Beogradin dhe Prishtinën që përgjegjësit të mbahen përgjegjës.
Ai ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë, teksa ka thënë se momentumi është vënë në provë me ngecjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ka vlerësuar edhe rikthimin në pozitat e kryetarëve në veri, të pjesëtarëve të komunitetit serb.
“Në veri të Kosovës, rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit në institucionet lokale. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë pa sfida,” theksoi ai. “Në takimet e mia të fundit me disa prej këtyre kryetarëve, dëgjova shqetësime lidhur me dorëzimet e pjesshem, boshllëqet administrative dhe barrierat gjuhësore”.
Ai ka thënë se mirëpret kontaktet e nivelit qendror me ato lokal në veri teksa ka vlerësuar se ka progres edhe në çështjen e dialogut së fundmi.
“Është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta shfrytëzojnë këtë moment, duke avancuar edhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti të zhvillohet në një të ardhme të afërt,” deklaroi ai.
Due ka deklaruar se ka qenë pozitive edhe mënyra se si është gjetur zgjidhja për çështjen e Ligjit për të huajt.
Due ka bërë thirrje për ruajtje të pavarësisë së gazetarëve.
Po ashtu ka theksuar se zbatimi i ligjeve për gjuhët dhe emërimi i një Komisioneri për Gjuhët janë thelbësorë për promovimin e përfshirjes dhe garantimin e ushtrimit të plotë të të drejtave për të gjitha komunitetet.