Arbëri

Këshilltari i Clarkut: Thaçi s’kishte autoritet ta ndalonte dhunën

Michael Durkee

(Tekst i përditësuar) - Michael Durkee, këshilltari i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Ëesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritetin dhe kompetencën për ta ndaluar dhunën e cila u zhvillua në verën e viti 1999.

“Nuk kishte kompetencë, nuk kishte autoritet Hashim Thaçi ta bënte këtë gjë atëkohë”, tha Durkee.

Ai tha se këtë deklaratë e bazon për faktin se kur UÇK-ja e mori përsipër demilitarizimin, po bëhej përpjekje që të realizohej kjo.

Por, dëshmitari theksoi se kjo e bëri të kuptojë se e gjitha bazohej në nivele lokale dhe nuk kishte asnjë strukturë komanduese që Thaçi mund të përdorte për të ndaluar dhunën.

“Nuk ekzistonte absolutisht asnjë strukturë komanduese që ai mund të përdorte për të ndaluar dhunën”, deklaroi Durkee.

Ai tha se ata kishin përshtypje që në Kosovë nuk kishte një strukturë të konsoliduar të komandës që të jepnin urdhra që të mos kryheshin veprime të caktuara në terren.

“Ne kishim këtë përshtypje që nuk kishte një strukturë solide ose të konsoliduar komanduese që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra të cilat më pas do të çonin në veprime ose në operacione të caktuara në terren nëpër zona operative. Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe ekzistonte vullneti i tyre për të vepruar me kokën e tyre kur ata e mendonin të përshtatshme”, tha Durkee.

Kjo nuk zbatohej në Kosovë ashtu siç është zakonisht në ushtritë perëndimore, sipas Durkee.

“Domethënë nuk kishte një zinxhir të konsoliduar komande në kuptimin e koordinimit të drejtpërdrejtë të komandës siç domethënë në ushtrinë perëndimore”, deklaroi ai.

Durkee pohoi se ishte Hashim Thaçi njëri prej personave që thoshte se duhej të krijohej një Kosovë multietnike.

Ai pohoi se Thaçi ka mbajtur një fjalim më 1999-ën duke bërë thirrje që të ndalohej dhuna.
Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Krasniqit pasi ajo e Veselit dhe Selimit nuk patën pyetje./Betimi për Drejtësi


Këshilltari i Clarkut vazhdon sot dëshminë në Hagë

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefit të deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi. 

Sot do të vazhdojë dëshminë e tij Michael Durkee, këshilltari i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark.

Ai e ka nisur dëshminë të mërkurën dhe ka thënë se Thaçi nuk kishte rol ushtarak në UÇK, por vetëm politik.

Në seancën e të mërkurës është paralajmëruar po ashtu se ish-komandanti i NATO-s për Evropë, Wesley Clark, planifikohet të nisë dëshminë të hënën.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte, si: Përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje e paligjshme (Pika 8), zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9). 

Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në shtab të përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. 

Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.