Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica-Xhelili, pas kërkesës së tri degëve të partisë për dorëheqjes të kryetarit Lumir Abdixhiku ka bërë thirrje për unitet.
“Ju bëj thirrje për unitet! Për unitet të sinqertë. Për unitet të përgjegjshëm. Për unitet që nuk e mohon debatin, por nuk lejon që debati ta kthejë LDK-në në përçarje”, ka shkruar Kica-Xhelili në Facebook.
Ajo ka thënë se LDK-ja nuk është pronë e askujt. “As e kryetarit. As e degëve. As e atyre që, në përballjen tonë me pushtetin, kritikonin vetëm LDK-në. LDK-ja është shtëpi politike. E në momente të ndjeshme, shtëpia nuk rrënohet pse ka nevojë për riparim. Ajo forcohet. Po, rezultati kërkon reflektim. Por reflektimi duhet të na bashkojë, jo të na copëtojë. Fundja, përgjegjësi kemi të gjithë, njësoj!”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAjo ka thënë se sot Kosova është në krizë institucionale, politike dhe të jashtme dhe ka bërë thirrje që LDK-ja të ruhet nga përçarjet.
“Në këtë moment, vendit i duhet një LDK e qartë, e fortë dhe e përgjegjshme. Jo një LDK e futur në përplasje publike, ku secili flet për moral, por pak kush e nis përgjegjësinë nga vetja. Prandaj, të flasim. Të përmirësohemi. Por ta ruajmë LDK-në. Ta ruajmë nga përçarja. Ta ruajmë nga kalkulimet e ngushta. Ta ruajmë nga tundimi për ta dobësuar në momentin kur ajo duhet të jetë adresë e stabilitetit për Kosovën”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Ajo ka thënë se Abdixhiku në janar iu nënshtrua Kuvendit të partisë dhe mori votëbesimin e delegatëve.
“Kjo nuk e mbyll debatin përgjithmonë, por e përcakton rrugën: debati kryhet brenda. LDK-ja duhet të mbrohet sidomos kur është më e ekspozuar. Sepse ata që duan ta dobësojnë, nuk presin moment të qetë. Prandaj, ju ftoj për unitet. Vetëm bashkë e të matur i bëjmë nder tre shkronjave historike që përfaqësojmë. Mos harroni: LDK ka qenë dhe do të mbetet vetë Republika e Kosovës! Ta trajtojmë si të tillë!”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Duke u thirrur në rezultatin e dobët zgjedhor, të martën dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë, ajo në Lipjan si dhe dega e dytë e LDK-së në Prishtinë kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhiku.