Politologu Melazim Koci ka deklaruar se do të ketë pasoja serioze politike dhe institucionale nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Sipas tij, qytetarët kanë treguar nivel të lartë durimi dhe mirëkuptimi, pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë, të cilat tashmë janë në nivel me vendet e Evropës Qendrore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Qytetarët po tregojnë shumë mirëkuptim për papërgjegjësinë e klasës tonë politike, kemi rritje shumë të çmimeve, e kam fjalën për artikujt elementarë të shportës, që tani janë barabartë me ata në vendet e Evropës qendrore. Kanë mirëkuptim, kanë durim, dalin në votime dhe pastaj klasa politike manipulon me vullnetin e tyre. Ky durim i popullatës, i votuesit, e ka një kufi dhe mund të vijmë në një situatë të atillë që klasës politike nuk do t’i pëlqente”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Koci ka vlerësuar organizimi i zgjedhjeve të treta parlamentare brenda një periudhe prej vetëm 15 muajsh do ta vendoste Kosovën ndër vendet me numër rekord të mbajtjes së zgjedhjeve në Evropë, menjëherë pas Bullgarisë.
“Mendoj se do të ishte vërtetë fatkeqësi nëse sërish Kosova detyrohet të shkojë në zgjedhje. Do të ishin zgjedhjet e treta parlamentare duke përjashtuar ato lokale në 15 muaj. Do të ishim menjëherë pas Bullgarisë, afër rekordit, në këtë dekadë Bullgaria mban rekordin për numrin e shpeshtë të zgjedhjeve. Besoj se do të gjendet një minimum i kompromisit, një konsensus sepse thjeshtë nuk shoh çfarë do të sjellin zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje”, ka thënë ai.
Sipas tij, nga zhvillimet aktuale duket se nuk do të ketë marrëveshje për presidentin.
“Nuk besoj që ka marrëveshje, do ta kishim kuptuar. As që ka përpjekje. Dikush mund të thotë se kanë mbetur edhe tri javë, por nëse çështja mbetet në pesë ditët e fundit, në shtatë ditët e fundit, mendoj se Kosova do të shkojë në zgjedhje. Është shumë komprometuese për këtë klasë politike, për të gjithë pa përjashtim. Komprometuese, dëshpëruese, zhgënjyese”, ka thënë ai.
Sipas Kocit, në Kosovë po ndodh relativizim i Kushtetutës, gjë që është e rrezikshme për vendin.
“Në Kosovë po ndodh normalizim i jonormalitetit dhe relativizim ekstrem i Kushtetutës. Çdo çështje në Kushtetutë është relativizuar, kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën sepse gradualisht mund të çojë drejt kaosit dhe anarkisë institucionale”, ka thënë ai.