Arbëri

“Komed” dorëzon padi ndaj vendimit të panelit të OSHP-së rreth tenderit për hemodializë

Kompania “Komed” e ka kundërshtuar vendimin e panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me tenderin për furnizim me pajisje e shtretër të hemodializës, i cili e pati lënë në fuqi vendimin e QKUK-së me të cilin e ka shpallur fituese kompaninë “MediHealth”. Për këtë, “Komedi” i është drejtuar me padi Gjykatës Komerciale

Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) e ka lënë në fuqi vendimin e Qendrës Klinike Universitare (QKUK), me të cilin e ka shpallur kompaninë “MediHealth” fituese të tenderit për furnizim me pajisje dhe shtretër për hemodializë, ani se Prokuroria është duke bërë hetime rreth dyshimeve për falsifikim dokumentesh. 

Ankesa fillimisht është aprovuar nga ekspertë teknikë të OSHP-së, të cilët kanë kërkuar rivlerësim të tenderit, por më pas paneli ka vendosur edhe njëherë për rishqyrtim të ankesave, pasi që ka vlerësuar se njëra prej tyre nuk është shqyrtuar plotësisht.

Vendimin e panelit e ka kundërshtuar kompania “Komed”, e cila ka dorëzuar padi në Gjykatën Komerciale.

Në padinë e dorëzuar, kompania “Komed” ka bashkëngjitur dëshmi të ekspertëve që tregojnë se eliminimi i saj nga QKUK-ja, nën arsyetimin e mungesës së kufirit të sipërm të matjes së presionit të gjakut, nuk ka qenë i drejtë.

“Eksperti teknik, sqaron se arsyeja e eliminimit të paditësit nga autoriteti kontraktues QKUK është në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit konkretisht aneksit 1. Parametri matës (Systole) 40–260 mmHg i prezantuar në ofertën e paditësit, konkretisht në folderin – katalogun e pajisjes (Katalogu 6). Specifikat dhe lista e pjesëve rezervë Dialife në faqen 4 thuhet shprehimisht se Blood pressure range është nga 0 – 300”, thuhet në padi.

Ky operator ekonomik ka pretenduar edhe se QKUK-ja nuk e ka kontrolluar si duhet dokumentacionin dhe nuk ka kërkuar informacione shtesë.

“Në këtë rast autoriteti kontraktues, jo vetëm se nuk i ka kontrolluar si duhet dokumentacionet e parashtruesit, por as nuk ka kërkuar informacione shtesë dhe drejtpërdrejt, në kundërshtim me gjendjen faktike dhe ligjin, ka vendosur për eliminimin e ofertës së parashtruesit. Autoriteti kontraktues ka për detyrim që të kërkojë informacione shtesë, atëherë kur nga ofertat nuk mund të nxjerrë konkluzion nëse operatori plotëson apo jo kriteret e dosjes së tenderit me siguri”, theksohet në padinë e “Komedit”.

Sipas kësaj kompanie, asaj nuk i është ofruar dosja e fituesit që tregon se ai mund të mos i ketë plotësuar kushtet.

QKUK-ja e pati eliminuar “Komed” me arsyetimin se nuk ka pasur dëshmi për instalimin e pajisjeve në tri shtete. Për këtë vendim të panelit të OSHP-së ka reaguar edhe prodhuesi zviceran “Dialife”, duke thënë se specifikat e tij i tejkalojnë edhe kërkesat e tenderit.

Vlera e tenderit ka qenë 843 mijë euro, e në tender kompania fituese “MediHealth” ka ofertuar me vlerë 781 mijë euro ndërsa ajo “Komed” me 679 mijë euro.