Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka shprehur shqetësim për rritjen e rasteve të fruthit te fëmijët dhe ka bërë thirrje për intensifikim të vaksinimit në terren, përfshirë edhe qasjen “derë më derë”.
Sipas KOMF-it, në javët e fundit janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi në Kosovë, dhe të gjithë rastet e konfirmuara kanë qenë të pavaksinuar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoOrganizata thekson se shqetësim mbetet edhe rënia e mbulueshmërisë me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) në grupmoshën 12–24 muaj, gjë që sipas saj rrit rrezikun për shpërthime të sëmundjeve të parandalueshme me vaksinë.
KOMF-i i ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të imunizimit, duke theksuar se vaksinimi është obligim ligjor dhe masë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
“Vaksinat janë mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ato janë të testuara shkencërisht dhe të sigurta”, thuhet në reagimin e KOMF-it.
Po ashtu, organizata u ka bërë thirrje prindërve që të mos bien pre e dezinformatave dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare për çdo paqartësi.
Në të njëjtën kohë, KOMF-i ka kërkuar nga institucionet shëndetësore që të intensifikojnë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe të organizojnë vaksinim në komunitet, përfshirë edhe vizitat në shtëpi.
Sipas KOMF-it, nevojitet një reagim i koordinuar institucional dhe fushata më të fuqishme vetëdijesuese për rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.