Komunarët e Podujevës nuk i kanë përfshirë gjashtë propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Strategjinë për zhvillim ekonomik lokal 2020-2022.
Në arsyetimin që është në dhënë në raportin për diskutimin publik për këtë dokument, thuhet se për disa nuk ka mjete, e për disa të tjera se janë të parapara.
Por, shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së në këtë komunë, Vendenis Lahu, thotë se vetëm dy propozime të pjesërishme janë përfshirë në SZHEL të miratuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal.
“Strategjia e Zhvillimit Ekonomik Lokal është padyshim një nga dokumentet e rëndësishme të cilat paraqiten para kuvendit për shqyrtim, plotësim e miratim. Sfidat, vështirësitë dhe problemet me të cilat përballen banorët e komunës sonë janë të mëdha dhe të ndryshme, duke filluar nga papunësia e varfëria, arsimi e shëndetësia, e deri te degradimi urban dhe ambienti. Prandaj nga ky dokument edhe duhet të dalin qëllimet strategjike dhe të parashihen politikat dhe masat për t’u ndërmarrë për realizimin e tyre”, është shprehur Vendenis Lahu.
Në debatin publik, sipas këshilltarit të VV-së, ai i ka paraqitur disa propozime të cilat mendon se do ta pasuronin SZHLE-në dhe se i paraqesin në mënyrë të drejtë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.
“Krijimi i një fondi prej 500 mijë eurosh në vit për subvencionimin e normave të interesit për kreditë investive në lëmine e prodhimit; Grante për bujqësi - mbështetje me grante për blerjen e makinerive prodhuese të industrisë ushqimore. Me këtë nënkuptojmë krijimin e një fondi grantesh, nga ku bizneset që do të investojnë në makineri prodhuese të ndihmohen me 30% të vlerës së investimit; Arsim - investime në laboratorë të shkencave natyrore në vlerë 200 mijë €, investim ky që do të pajiste 20 shkolla me laboratorë”, ka theksuar Lahu, raporton Koha Ditore.
Propozimi tjetër i VV-së ka qenë investime në zhvillimin e shkollave profesionale - krijimi i firmave ushtrimore dhe kabineteve si dhe hapja e profileve të reja ose mbyllja e disa profileve bazuar në nevojat e ekonomisë. Për implementimin e këtyre politikave, sipas shefit të GK të VV-së, nevojitet një fond prej rreth 300 mijë €. Vetëvendosje kishte propozuar gjithashtu edhe ndërtimin e 5 terreneve sportive multifunksionale në pjesë të ndryshme të qytetit dhe funksionalizimin e kinemasë së qytetit.
Në raportin e diskutimit publik për këtë dokument, zyrtarët komunalë kanë thënë se propozimi për fondin e subvencionimin e normave të kredive investive nuk mund të inkorporohet në Strategji, pasi Korniza Afatmesme Buxhetore nuk e parasheh një gjë të tillë dhe se kjo paraqet barrë të papërballueshme financiare për komunën. Për propozimin e dytë për grantet në bujqësi, sipas zyrtarëve komunalë të Podujevës është i përfshirë në dokumentin final në 1.5.1.2 dhe 1.5.1.3. Edhe propozimi i tretë sipas komunarëve është i përfshirë në dokumentin final.
“Propozimi për investime në shkolla profesionale mbetet për më vonë, pasi paraprakisht duhet të kryhen aktiviteti 1.13.1 (zhvillimi i analizës vjetore për nevojat e qytetarëve, bizneseve dhe grupeve të interesit...Propozimi për 5 terrene sportive është i përfshirë në draftin final...Propozimi për funksionalizimin e kinemasë së qytetit, ne i kemi marrë prioritetet sektoriale nga të gjitha drejtoritë dhe ky nuk ka qenë pjesë e prioriteteve të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, janë arsyetuar zyrtarët komunalë të Podujevës.
Por, Vendnis Lahu, ka thënë se pothuajse asnjë propozim i tyre nuk është miratuar.
“Në dokumentin që na është sjellë për miratim, hartuesi i dokumentit, duke u bazuar në arsye të cilat mendoj se nuk janë të bazuara, nuk ka përfshirë asnjërën nga këto propozime në strategji. Për shembull: Mospërfshirja e propozimit tonë për krijimin e një fondi prej 500 mijë eurosh me arsyetimin se nuk e parasheh Korniza Afatmesme e Shpenzimeve nuk bën shumë sens kur kihet parasysh se SZhEL nuk del nga KAB-i, por anasjelltas”, ka thënë shefi i GK të VV-së.
Për propozimin për pajisjen e shkollave me laboratorë të shkencat natyrore, këshilltari Lahu ka thënë se me vlerën e propozuar nga Komuna nuk mund të pajisen më shumë se 5 shkolla.
“Meqë propozimet tona e të cilat i konsiderojmë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomiko-shoqëror nuk janë inkuadruar, ne nuk kemi votuar pro kësaj strategjie”, ka thënë Lahu.
Ky dokument është miratuar me shumicë të votave.