Premtimi për funksionalizimin e trafikut urban në Podujevë, i dhënë që në vitin 2021, nuk u realizua në mandatin e parë të kryetarit Shpejtim Bulliqi. Si premtim u dha edhe në fushatën e vitit të shkuar dhe zyrtarët komunalë thonë se projekti do të realizohet qysh këtë vit
Elda Islami
Kryetari Shpejtim Bulliqi qysh në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2021 premtoi ta bëjë Podujevën me trafik urban. Por, gjatë katër vjetëve qeverisje në mandatin e parë, projekti nuk u realizua.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBulliqi e premtoi trafikun urban edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të mbajtura në vjeshtën e vitit që shkoi.
E zyrtarë komunalë thonë se këtë herë projekti do të realizohet.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Podujevë, Bahri Selimi, tha se qyteti do të bëhet me trafik urban këtë vit dhe se do t’i ketë tri linja për fillim.
“Ne jemi zotuar që këtë vit do ta kemi trafikun urban dhe po punojmë në atë drejtim. Kemi bërë ndarjen dhe përcaktimin e linjave që do ta mbulojnë pjesën urbane të qytetit dhe një pjesë shumë të vogël të periferisë. Janë përcaktuar tri linja. Kemi biseduar me inxhinierë të komunikacionit dhe javën e kaluar e kam paraqitur propozimin në bord. Kanë mbetur disa ndryshime të vogla, në mënyrë që asnjë pjesë e qytetit të mos mbetet pa u mbuluar nga këto tri linja”, ka thënë Selimi.
Komuna pritet të operojë përmes kompanive private, pasi sipas Selimit, ajo nuk ka kapacitete për ta menaxhuar vetë transportin publik.
“Besoj se brenda këtij viti do ta bëjmë një njoftim publik, sepse kostoja për ta menaxhuar vetë si kompani publike apo si komunë është shumë e madhe dhe e vështirë për t’u përballuar. Në fillim po mendojmë që trafikun urban ta realizojmë me operator privat dhe shumë shpejt do ta shihni shpalljen që do t’i ftojë të gjithë të interesuarit të aplikojnë për marrjen e këtyre linjave”, ka thënë Selimi.
Qytetarët thonë se trafiku urban është i domosdoshëm për Podujevën.
“Këto fshatra në periferi duhet të lidhen me qendrën, ajo është shumë e rëndësishme. Edhe brenda qytetit ka nevojë, sepse duhet t’u shmangemi automjeteve të vogla që shkaktojnë ndotje. Shumë makina lëvizin vetëm me nga një person. Është më mirë të përdoret autobusi. Në Prishtinë, për shembull, është më e lehtë të lëvizësh me autobus, më shpejt dhe pa pasur nevojë për parkim. Është më e dobishme”, ka thënë një qytetarë.
Komuna e Podujevës është prej më të mëdhave në Kosovë sa i përket shtrirjes gjeografike.