Arbëri

Komuna e Prishtinës kallëzim penal ndaj Muratit, ky e quan marrëzi

Murati-Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ky institucion ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Në një dokument të publikuar nga ai në Facebook, e që mban datën 7 tetor, thuhet se kallëzimi penal dorëzohet nën pretendimin për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Komuna e Prishtinës e akuzon Muratin për bllokim të buxhetit të Komunës.

“Hekuran Murati, shihemi në Prokurori! Sinqerisht shpresoj që përgjigja jote ndaj institucioneve të drejtësisë të jetë më e përgjegjshme sesa ajo e kryetarit tënd të partisë, që ka një vit që nuk i përgjigjen thirrjeve zyrtare të prokurorisë! Kjo e tregon mjaft mirë se si e trajtoni ju shtetin dhe qytetarët! Hekuran, punëtorët dhe qytetarët e Kryeqytetit nuk duhet të mbesin pa paga e pa shërbime, vetëm sepse ju keni zgjedhur t’i përdorni për të shantazhuar opozitën!”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ndaj këtij deklarimi ka reaguar Murati. Ai e ka quajtur marrëzi veprimin e Ramës. E ka lidhur veprimin e komunës me kohën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale.

“Marrëzia e Përparim Ramës nuk paska kufi. Vetë ai nuk ka arritë me e miratu buxhetin e Komunës brenda afatit ligjor, dhe tash mendon me e hedhë fajin e dështimit personal tek të tjerët me shfaqje sikur kjo me kallëzim penal. Besoj që dikush do duhej me njoftu Përparimin që kodi penal parasheh dënim me 3 muaj deri në 3 vjet burg për kallëzim penal të rremë. Siç edhe mund të shihet nga data, kallëzimi qenka bërë me datë 7 tetor, pra gjatë fushatës zgjedhore. Dhe normalisht që aty ka qenë edhe qëllimi. Tregoni dikush që është kry fushata. Tash do duhej me ju kthy punës”, ka shkruar ai.

Vetëm një ditë më parë, Rama dhe Murati patën përplasje në Facebook për çështjen e buxhetit për komunën më 2025.

Përderisa Rama e akuzon Muratin se e ka bllokuar miratimin e buxhetit, Murati ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitë tjera opozitare për mosprocedim të çështjeve në Kuvendin e Kosovës, konkretisht përmes mospërkrahjes së formimit të komisioneve parlamentare.