Komuna e Prishtinës për herë të dytë përmes procedurës së negociuar ua ka dhënë kompanive private tenderin për menaxhim me mbeturina. Tenderi në vlerën e afro një milion eurove u dha vetëm dy javë pasi u anulua ai i rregullti, me arsyetimin e mungesës së buxhetit. Opozita në kryeqytet ka kërkuar hetim nga institucionet e drejtësisë, e operatorët që pësuan nga anulimi i procedurës së rregullt i janë drejtuar “gjykatës së tenderëve”
Dy javë pasi anuloi tenderin e rregullt për menaxhim me mbeturina me arsyetimin për mungesë të mjeteve buxhetore, Komuna e Prishtinës lidhi kontratë me negocim në vlerë 950 mijë euro me kompani private.
Por, të dy këto procese janë në kundërshtim me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, e cila parasheh që KRM “Pastrimi” është përgjegjës për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.
“Operatori publik i kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për ofrimin e shërbimeve për menaxhimin e mbeturinave është kompania publike "Kompania Regjionale e Mbeturinave "Pastrimi" SH.A”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 16 të kësaj rregullore.
Në kundërshtim me këtë rregullore, Komuna kishte lidhur edhe vjet një kontratë me negocim për çështjen e mbeturinave, por atë e arsyetoi me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme me mbeturina shkaku i grevës nga kompania “Pastrimi”.
Ani se situata nuk është e njëjtë, Komuna pasi anuloi tenderin 16.5 milionë euro për menaxhimin me mbeturina, ajo përdori procedurën e negociuar duke lidhur kontratë me dy grupe të operatorëve për lot 1 dhe 2, çmimet e të cilëve rezultojnë të jenë më të larta sesa ofertat e paraqitura në tenderin e rregullt.
Për lot 1 ajo ia dha tenderin grupit të operatorëve ekonomikë “Selmans Network” dhe “Mardem Group”, me çmim prej 171.20 euro për ton, ndërsa për pjesën e dytë ajo lidhi kontratë me grupin e operatorëve ekonomikë “Ledi sh.p.k”, “Rahovica Comerce SH.P.K.” dhe “Quality Asphalt SH.P.K.” me 70.40 €.
Për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave, njëri nga grupet e operatorëve që kishte aplikuar në tenderin e rregullt kishte ofertuar me 48 euro për ton, që i bie mbi 70 për qind më lirë sesa çmimi për pjesën e parë, ndërsa për mbi 30 për qind më lirë sesa në pjesën e dytë.
Për këtë dhe pretendimet e tjera për shkeljet në këtë proces tenderimi, të hënën grupi i operatorëve “Zahiri SH.P.K.”; “NITI-N SH.P.K.”; “Knalprofis Group SH.P.K.”; “EL-BAU SH.P.K.”, i janë drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit.
“Në këtë procedurë të prokurimit AK ka shkelur të gjitha procedurat e parapara me ligj dhe me rregullore të KRPP-së, ku në vend që të na shpallë ne fitues të këtij aktiviteti të prokurimit të AK ka zgjedhur të keqpërdorë buxhetin dhe ta vazhdojë me procedura të negociuara dhe t’i shpërblejë me kontratë OE të tjerë, të cilët nuk kanë aplikuar në procedurë të hapur”, thuhet në ankesën e këtij operatori. “Autoriteti kontraktues procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë ka gjetur buxhetin e për ta nuk ka pasur buxhet”.
Me pretendime për shkelje të rregullores, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar në Departamentin e hetimeve në Polici kërkesë për inicimin e hetimeve lidhur me kontratën në vlerë prej 950 mijë eurosh. Gëzim Sveçla, shefi i asambleistëve të LVV-së në Prishtinë, ka thënë se kontrata e negociuar dhe e bërë publike para dy-tri dite është në kundërshtim me ligjet.
“I gjithë ky sistemi i menaxhimit të mbeturinave është një projekt i qeverisjes aktuale që ka për qëllim bankrotimin e ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dhe dhënien e tregut për operatorët privatë. Është për keqardhje që edhe pas 4 vjetësh qeverisje me Përparim Ramën ne vazhdojmë të flasim për problemin me mbeturina. Do të thotë i ka pasur krejt kohën e nevojshme dhe të mjaftueshme për ta zgjedhur këtë problem dhe nuk ka arritur. Në anën tjetër, kontrata e negociuar është bërë me disa operatorë që vazhdimisht po fitojnë tender nga Komuna e Prishtinës, gjë që lë hapësirë për hetim për këtë rast”, ka thënë ai.
Përmes negocimit, Komuna e Prishtinës më 2 prill i dha kontratë për ofrimin e shërbimeve të trajtimit të mbeturinave në vlera 1.2 milionë kompanisë “Selmans Netëork” dhe 800 mijë euro për “Niti-N” për periudhë 6-mujore.
Por, Komuna e Prishtinës në nëntor të 2024 kishte hapur tender për “Menaxhimin me mbeturina” me vlerë të parashikuar të kontratës 16.5 milionë euro, ani se në Buxhetin për 2025 kishte paraparë vetëm 5 milionë euro për këtë çështje, ndërsa në draft-buxhetin për 2026 nuk parashihen fare mjete për të.
Në Ligjin e Prokurimit Publik, i saktësuar edhe me Rregulloren për prokurim publik, përkatësisht nenin 8 të saj, thuhet se autoriteti kontraktues duhet të sigurojë që fondet për aktivitetin e prokurimit të jenë alokuar, ose ato të jenë mjaftueshme të alokuara në vitin fiskal në fjalë.
E tek më 8 janar, kjo komunë ka anuluar tenderin e shpallur jashtëligjshëm, e që u zvarrit edhe me ankesa të shumta edhe në OSHP.
“Autoriteti kontraktues Komuna e Prishtinës anulon aktivitetin e prokurimit për arsye të mungesës së buxhetit dhe mos parashikimit të këtij aktiviteti në Buxhetin 2026 e as në kornizën afatmesme buxhetore”, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës.
Por, Sveçla ngreh dyshime që anulimi u bë pasi ky tender është duke u hetuar nga Prokuroria pas kallëzimit penal që ka bërë Vetëvendosje, por edhe KRM “Pastrimi”.
“Komuna e Prishtinës, nuk e ka fort problem çështjen e zotimit të mjeteve sepse një tender i tillë pa i pasur mjetet e zotuara është bërë edhe për sheshin ‘Xhorxh Bushi’. Sa herë që kemi thënë se është në kundërshtim me Ligjin, ata nuk janë marrë fare me këtë çështje. Ndërkohë që arsyeja që është anuluar, është për shkak se është subjekt hetimi”, ka thënë ai.
KOHA ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës lidhur me anulimin e tenderit të rregullt si dhe për lidhjen e kontratës përmes negocimit, por nuk ka marrë përgjigje.
Ajo nuk është përgjigjur as për dallimet në çmime që kanë pranuar në tenderin e rregullt dhe se a janë ftuar kompanitë që kanë aplikuar në atë edhe për procedurën e negocimit.
Përgjigje KOHA nuk ka marrë as në pyetjen nëse tenderi është në përputhje me rregulloren e Kuvendit të Prishtinës për menaxhim me mbeturina.
E përplasjet për mbeturinat mes komunës dhe kompanisë publike që kanë histori disavjeçare, kanë bërë që çështja e menaxhimit të tyre të bëhet objekt reagimi i shpeshtë i qytetarëve.
Në KRM “Pastrimi” kanë thënë për KOHËN se kompania ka trashëguar një situatë jo të favorshme në terren, e cila ka qenë rezultat i një periudhe ku shërbimi nuk është zhvilluar me intensitetin e nevojshëm nga operatorët privatë.
“Vonesat e përkohshme që janë evidentuar në disa lagje lidhen kryesisht me volumin e akumuluar të mbeturinave dhe nevojën për ndërhyrje të njëpasnjëshme, por në asnjë rast nuk ka pasur ndërprerje të shërbimit. Kompania e kupton plotësisht shqetësimin e qytetarëve dhe e vlerëson reagimin e tyre si të drejtë dhe të arsyeshëm. Pikërisht për këtë arsye, ekipet tona janë në terren pa ndërprerje, përfshirë ndërrime shtesë, derisa situata të normalizohet plotësisht në të gjitha lagjet e Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një paraqitje publike ka paralajmëruar ndryshimin e rregullores ekzistuese për menaxhimin e mbeturinave.