“Në vitin 2022 Prishtina pritet të ketë rreth 622 mijë banorë”, kështu kishin treguar analizat e bëra vite më parë kur është planifikuar Plani Zhvillimor Komunal 2012-2022.
Kjo analizë ka ardhur duke llogaritur rritjen mesatare vjetore prej 1.5 për qind në vit vetëm nga shtimi natyror i popullsisë, si dhe me trendin e migrimit të banorëve në Prishtinë që nga paslufta.
Ndërsa kur po planifikohet plani zhvillimor për vitin 2028, nuk dihet nëse Komuna ka një përllogaritje të numrit të banorëve aktualë dhe atyre që pritet të ketë Prishtina në të ardhmen.
Akuza në këtë drejtim janë bërë edhe në debatin publik, i cili ishte i hapur gjatë ditës së mërkurë, dhe në të cilin qytetarët e zonës urbane kishin në dispozicion vetëm 2 orë për të shprehur kërkesat e tyre mbi planin zhvillimor i cili është në fazën finale.
Arkitektë e organizata joqeveritare kërkuan më shumë transparencë në këtë drejtim dhe mos ngutje për përfundimin e këtij plani.
Shumë banorë të cilët kërkuan më shumë detaje se çfarë është planifikuar në pronat e tyre dhe për koeficientet e ndërtimeve bojkotuan debatin publik, që po mbahej në sallën e Kuvendit Komunal pasi nuk morën përgjigjen adekuate.
Udhëheqësi i Sektorit të Planifikimit dhe koordinator i procesit të draftimit të Planit Zhvillimor dhe hartës zonale, Florim Krasniqi, i cili prezantoi Planin Zhvillimor Komunal për 8 vjetët e ardhshëm, nuk dha përgjigje në pyetjet e tyre, duke shtuar se detajet e ndërtimeve do të kuptohen me Hartën Zonale, e cila pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm.
Qytetarët u shprehën të pakënaqur edhe me pronat të cilat i kanë mbetur peng tash e sa vite, pasi ato as nuk po iu kompensohen as nuk po iu lejohet të ndërtohet në to.
Pas këtij debati ishin planifikuar edhe 2 orë diskutim me banorët e zonave rurale. Pronarët e tokave të Butovcit kërkuan edhe një herë vendosjen e kritereve në bazë të së cilave do t’iu lejohej ndërtimi.
Sipas Institutit të Planifikimit Hapësinor, rreth 20-25 për qind e ndërtesave në nivel vendi janë të zbrazura, e një përqindje e njëjtë llogaritet të jetë edhe në Prishtinë, sipas informacioneve që ka Instituti për Planifikim Hapësinor.
Edhe me këtë lloj përqindjeje të ndërtesave të zbrazura, Prishtina po planifikon edhe më shumë ndërtime.
Drejtori i Institutit për Planifikim Hapësinor në MMPH, Luan Nushi, i ka bërë thirrje Komunës që të mos ngutet me përfundimin e këtij plani.
“Apel të gjithë profesionistëve dhe të lus komunën të gjejnë formën e duhur se si të vijë deri në përfshirjen e profesionistëve. Tani do të vijë edhe faza e shqyrtimit dhe kjo fazë mund të na shkojë pa e vrenjtur për shkak të pushimeve, është faza prej 2 muajve që zgjasin pushimet dhe interesimi bie dhe pastaj është procesi zgjedhor dhe ka shanse që ky proces të ikë prej duarve pa e vërejtur. E lus komunën mos të ngutet dhe të mos vije deri në përfundimin kaq shpejt”, ka thënë Nushi.
Pasi të shqyrtohen të gjitha ankesat mbi skenarët zhvillimorë do të hartohet një draft, i cili do të dërgohet në Ministrinë e Ambientit dhe sapo të merret aprovimi ai do kthehet në Kuvend për një diskutim të ri publik në afat prej 30 ditësh.
Sipas drejtorit për planifikim strategjik dhe zhvillim të qëndrueshëm, Genc Bashota, i gjithë ky plan pritet të përfundojë në këtë shtator.
Edhe qeverisja e Isa Mustafës e kishte bërë Planin Zhvillimor Komunal, si dhe atë Urban në fund të mandatit, në shtator të vitit 2013.