Arbëri

Komuna dhe “Pastrimi” arrijnë marrëveshje për ndërprerje të grevës

Pastrimi -Proteste

Foto: Driton Paçarada

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se pas një muaji ka arritur marrëveshje me punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Pastrimi” për ta ndërprerë grevën e tyre.

“Sot është arritur marrëveshja mes Komunës së Prishtinës dhe Këshillit Grevist të Ndërmarrjes ‘Pastrimi’ për ndërprerjen e grevës së punëtorëve para objektit të Komunës,” thuhet në njoftim. 

Më pas është mbajtur edhe konferencë për media. 

Nënkryetari i Komunës, Florian Dushi, deklaroi se komuna ka qenë gjithmonë në mbështetje të punëtorëve dhe ka propozuar subvencionimin e pagave të tyre. Ai theksoi se pajtimi është arritur me punëtorët, por jo me menaxhmentin e ndërmarrjes, të cilin e akuzoi për përhapje të dezinformatave.

“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë – ne i kemi mbështetur punëtorët dhe kemi insistuar që të gjendet një zgjidhje. Në disa seanca kemi propozuar subvencionimin e pagave që të mos cenohet paga e punëtorëve. Kemi pritur dhe takuar përfaqësuesit e tyre dhe i kemi marrë kërkesat e tyre seriozisht. Sot jemi pajtuar me punëtorët, por kjo nuk do të thotë se jemi pajtuar edhe me menaxhmentin e ndërmarrjes ‘Pastrimi’, i cili fatkeqësisht ka ndihmuar në përhapjen e dezinformatave. Është lënë kryeqyteti me mbeturina për shkak të kësaj situate,” tha Dushi.

Ai shtoi se është rënë dakord që çështja e pagesës për shërbimet nga janari deri në maj të adresohet në gjykatën kompetente. Po ashtu, është vendosur që mjetet e inkasuara nga komuna të transferohen në mënyrë urgjente te KRM “Pastrimi”, dhe lista e qytetarëve që kanë kryer pagesat të dorëzohet tek ndërmarrja, e cila do t’i pranojë ata si pagues të rregullt.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Sindikatës së “Pastrimit”, Shpend Qosa, deklaroi se kërkesat legjitime të punëtorëve janë pranuar dhe se mjetet e inkasuara pritet të transferohen nga nesër, gjë që do të mundësojë rifillimin e punës.

“Kërkesat tona, të cilat kanë qenë të drejta dhe legjitime, janë pranuar. Kemi marrë zotim nga nënkryetari që këto pika do të trajtohen dhe zgjidhen. Presim që mjetet e inkasuara të fillojnë të transferohen në llogarinë tonë nga nesër, dhe ne të rifillojmë menjëherë punën. U kërkojmë ndjesë qytetarëve që nuk kemi mundur ta kryejmë shërbimin dhe i ftojmë që pagesat për mbeturina t’i bëjnë te ndërmarrja ‘Pastrimi’. Në rast se këto zotime nuk realizohen, do të rikthehemi në protesta – dhe nuk e dimë si mund të përfundojnë ato,” theksoi Qosa.

 

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se janë pajtuar me punëtorët, por jo edhe me qasjen e menaxhmentit.

“Ne sot jemi pajtuar me punëtorët, por kjo nuk do të thotë se pajtohemi me qasjen e menaxhmentit aktual, i cili fatkeqësisht ka kontribuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës me mbeturina në Kryeqytet, përfshirë edhe dezinformimin e punëtorëve për agjenda të caktuara politike, dhe në këtë formë duke e lënë qytetin pa shërbim të mbledhjes së mbeturinave – gjë që ka rrezikuar edhe shëndetin publik në Kryeqytet”, ka shkruar Rama.

Punëtorët e “Pastrimit” ishin në grevë që një muaj, me kërkesën kryesore për shlyerjen e një borxhi prej 2.7 milionë euro, për të cilin kompania thotë se i takon nga Komuna – pretendim që është mohuar nga zyrtarët komunalë. Ndër kërkesat e tyre ishte edhe ndalimi i operatorëve privatë në grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.

Fillimisht, grevistët kishin bllokuar rrugën me disa kamionë përpara objektit të Komunës, por më pas kishin larguar automjetet dhe kishin vazhduar grevën në formë të qëndrimit në oborr.

Gjatë kësaj periudhe, shumë lagje të Prishtinës kishin mbetur pa u pastruar, duke nxitur ankesa të shumta nga qytetarët. Komuna kishte premtuar disa herë zgjidhje për situatën, e cila duket se është arritur sot përmes marrëveshjes së fundit.

Kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica, tha se “është arritur një zotim”. 

“Një zotim në fakt është arritur, se nuk ka asgjë të nënshkruar”, tha Reçica për KOHËN. 

Reçica në një video në Facebook ka thënë se është arritur dakordim që të gjitha mjetet e inkasuara nga Komuna e Prishtinës për periudhën janar – qershor të vitit 2025, për menaxhim të mbeturinave, të transferohen te “Pastrimi”. 

Po ashtu kërkesa për pagesën e shërbimeve të ofruara nga KRM “Pastrimi” për mbledhjen e mbeturinave gjatë periudhës janar – maj 2025 të adresohet në gjykatën kompetente për zgjidhje me ndërmjetësim. 

Faturimi, inkasomi dhe kryerja e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave, pas vendimit të Gjykatës Supreme, do të bëhet nga ana e “Pastrimit”, sipas rregullores në fuqi të kryeqytetit.