Arbëri

Komuna zotohet se do ta largojë këndin e rrezikshëm të lojërave për fëmijë në Orllan

Zyrtarët komunalë të Podujevës i kanë thënë KOHËS se këndi i lojërave në fshatin Orllan që gjendet afër liqenit të Batllavës do të largohet, për shkak të rrezikut që po paraqet një rrëshqitëse në defekt dhe po ashtu moslejimit të ndërtimit nga niveli qendror në atë zonë.

Një vizitor në Orllan (D.M.) i ka shkruar KOHËS se ka qenë dëshmitar kur një fëmijë i moshës 10-vjeçare ka rënë nga një lartësi 4 metra nga rrëshqitësja që gjendet në Orllan, te vendi i quajtur “Te plepat”. Për këtë rast janë njoftuar edhe zyrtarët komunalë të Podujevës.

“Jemi njoftuar për rrëshqitësen e cila është me defekt pasi kemi kuptuar që një fëmijë është lënduar para disa ditëve, për të cilin rast ndjejmë keqardhje dhe i urojmë shërim të shpejtë fëmijës”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Ai ka thënë se ky kënd i lojërave është ndërtuar në vitin 2013 nga një bashkëfinancim që është bërë nga Komuna e Podujevës me Bashkimin Evropian përreth liqenit të Batllavës. Por, pjesa ku është vendosur këndi i lojërave është zonë e mbrojtur dhe nuk lejohet ndërtimi.

“Drejtoria e Inspektoratit së shpejti do të ndërmarrë veprime për ta larguar atë kënd të lojërave që paraqet rrezik për fëmijët. Arsyeja e largimit të tij dhe jo e rregullimit është sepse tani në afërsi të liqenit nuk lejohet të zhvillohet asnjë aktivitet rekreacioni, andaj jemi të obliguar që ta largojmë këndin nga ajo hapësirë për sigurinë e fëmijëve”, ka thënë Zhitia.