Banorët e komunitetit ashkali në Gadime të Lipjanit gjatë vitit të kaluar kanë përfituar një projekt për aktivitete të ndryshme për gratë dhe fëmijët. Por destinimi i projektit po kundërshtohet sepse komunitetit insiston që ai të shfrytëzohet në raste të vdekjeve për ceremoni “post-mortum”. Pas këtyre mospajtimeve, objekti është dëmtuar dhe është vjedhur sistemi i ngrohjes. Kjo ka nxitur reagimin e Komunës dhe organizatës “VORAE”, që është donatore e projektit
Një objekt që është ndërtuar në vitin e kaluar nga komuna dhe organizata “VORAE”, për aktivitete të grave dhe fëmijëve të komunitetit ashkali, është mbyllur që nga fillimi i këtij viti.
Ky projekt në dobi të grave dhe fëmijëve po kundërshtohet nga komuniteti ashkali me qëllim që objekti të destinohet për aktivitete të ceremonive të varrimeve.
“Objektivi i qendrave ditore është të sigurojë një mjedis që do t'i lejojë fëmijët të ndihen mirë me veten, t'u qasen sfidave me optimizëm, të eksplorojnë botën e tyre me besim dhe kompetencë dhe në fund të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Arsyeja pse qendra nuk funksionon për momentin në Gadime është një problem teknik me ngrohjen dhe gjithashtu po krijohet edhe një koncept i qëndrueshëm për këtë qendër”, kanë thënë në OJQ-në, “VORAE”. “Qëllimi i qendrave ditore është t'u sigurojë të gjithë fëmijëve të regjistruar një program të përshtatshëm zhvillimor që thekson fushat e ndryshme të zhvillimit të fëmijëve, të cilat janë fizike, njohëse, emocionale dhe sociale”.
Sipas Organizatës “VORAE”, qendra ditore synon t’i fuqizojë gratë përmes aktiviteteve dhe trajnimeve të mundshme që do t’u ofrohen atyre në qendra.
“Targeti i qendrës ditore janë fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç dhe nënat e fëmijëve me fokus kryesor grupet e margjinalizuara. Numri i planifikuar i fëmijëve në qendrat ditore do të jetë rreth 25 fëmijë për vendndodhje, por varet edhe nga skenari që do të zhvillohet për sa u përket punëtorëve në qendrat ditore, numri mund të jetë më i lartë”, kanë theksuar në këtë OJQ.
Banorët e komunitetit ashkali kanë thënë se objekti duhet të hapet për ceremoni të varrimeve dhe për këtë arsye nuk po i dërgojnë fëmijët në këtë objekt.
“Kërkesa jonë ka qenë për të pame që ta shfrytëzojnë komuniteti, por kërkesat tona nuk janë marrë parasysh dhe kanë ndërtuar diçka tjetër në krahasim me kërkesën tonë. Fatkeqësisht, kjo nuk është e shfrytëzueshme dhe jashtë funksionimit të saj”, ka thënë Kadri Limani, përfaqësues i komunitetit ashkali në Gadime. “Në atë fillim i kanë marrë disa vajza vullnetare dhe i kanë ndoshta 2 apo 3 takime me gra dhe fëmijë në të cilën gratë i kanë bërë disa punime me punë dore dhe asgjë tjetër, pra objekti është shumë pasiv. Kërkesa jonë si komunitet është që kjo të rifillojë prej fillimit, ashtu siç është ndërtuar dhe të mbetet për të pame të komunitetit që t’i presin njerëzit për ngushëllime”.
E, Argjend Tasholli, banor i Gadimes, ka një kërkesë.
“Kërkesa ime e vazhdueshme është që të mos bëhen ndarje të komuniteteve në Gadime, duke e pasur parasysh se ne të gjithë jemi rritur brenda një lokacioni siç është Gadimja dhe nuk kemi bërë asnjëherë ndarje. Fëmijët e komunitetit ashkali i ndjekin mësimet edhe në shkollën fillore ‘Zenel Hajdini’ dhe kanë mundësi të shkojnë edhe në çerdhe që është bërë brenda oborrit të shkollës”, ka thënë ai.
Nënkryetari i Komunës së Lipjanit për komunitete, Lulzim Qerimi, nëpërmjet një deklarate me shkrim, ka thënë se komuna nuk ka përgjegjësi për ta menaxhuar këtë objekt.
Objekti është dëmtuar duke i thyer dritaret dhe duke e vjedhur edhe sistemin e ngrohjes.
Rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.
Por organizata “VORAE” ka thënë se objekti së shpejti do të monitorohet edhe me kamera të sigurisë me qëllim që të mos dëmtohet nga askush.