Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, gjatë fjalës së saj hyrëse në Samitin për Planin e Rritjes në Tiranë, duke iu referuar Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, ka thënë se janë dy vende që s’i kanë miratuar ende reformat në kuadër të Planit të Rritjes, teksa ka bërë thirrje që të punojnë më shumë. Ndërkohë që duke iu referuar Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kos ka thënë se ato kanë miratuar 55% të reformave të dakorduara.
Ajo ka përsëritur se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj dhe që blloku evropian ka gabuar në të kaluarën që nuk ka punuar në këtë drejtim.
“Dy nga 6 vendet e Ballkanit nuk kanë filluar të miratojnë reformat. Dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 55% të reformave të dakorduara. Shoh një lidhje shumë të mirë të avancimin në procesin e anëtarësimit dhe reformave”, ka deklaruar ajo, raporton EuroNews.
Ajo ka theksuar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe tani duhet ta bashkojnë me BE-në në formë institucionale.
Sipas saj, Plani i Rritje ka hapur shumë dyer në dy vjet dhe se priten të hapen edhe mundësi të reja të tjera.
“Paketa e zgjerimit te BE e cila ka sjellë një dinamikë të re ne procesin e zgjerimit. Tashmë është një çështje me te cilën ne po punojmë. Gjithnjë e më shumë ka të bëjë me sigurinë, Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin perëndimor. Këto takime për Planin e Rritjes po hapin gjithnjë e më shumë dyer. Shtëpia juaj, Evropa po u pret. Ju jeni pjesë e Evropës ne thjesht duhet ta bëjmë edhe në forme institucionale”, është shprehur Kos.
Kosova – ndonëse ka qenë ndër vendet e para në rajon në përpilimin e reformave që do t'i kryejë - nuk ka arritur të ratifikojë një marrëveshje ndërkombëtare me BE-në në Kuvend që do të mundësonte lëshimin e fondeve. Partitë politike nuk kanë gjetur konsensus, prandaj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpërndarë Kuvendin një ditë më parë dhe ka bërë të ditur se zgjedhjet e reja do të mbahen më 28 dhjetor.
Nga Plani i Rritjes i BE-së, Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.