Pas gjashtë muajsh pa mirëmbajtje, shiriti i gjelbër përgjatë rrugës Prishtinë–Fushë Kosovë është kositur nga Ministria e Infrastrukturës. Por kositja e ka nxjerrë të kundërtën e asaj që është synuar. Në vend të një oaze me bar të shkurtër, ka dalë një shesh i tërë me mbeturina. Njohës të çështjeve të mjedisit ngrenë alarmin për rrezikun që e paraqesin këto mbetje
Pas gjashtë muajsh pa mirëmbajtje, Ministria e Infrastrukturës e ka kositur ditë më parë shiritin e gjelbër përgjatë rrugës Prishtinë–Fushë Kosovë. Por kositja e ka nxjerrë të kundërtën e asaj që është synuar.
Me largimin e barit të gjatë është zbuluar pamje e shëmtuar me shumë shishe plastike e qelqi, mbetje ushqimore e gjësende të tjera të hedhura nga qytetarët përgjatë muajve.
Ekologia Dijesa Morina nga organizata “EcoZ”, tha se pamja është rezultat i mungesës së vetëdijes qytetare dhe se mbeturinat e këtij lloji paraqesin rrezik serioz si për ambientin, ashtu edhe për shëndetin e njerëzve.
“Mbeturinat që hidhen zakonisht nga veturat janë plastika, qelqe dhe mbetje ushqimore. Plastika merr kohë shumë të gjatë për t’u zbërthyer dhe mbetet aty për vite të tëra. Ndërsa mbetjet ushqimore gjatë shpërbërjes lirojnë lëngje që shpesh përmbajnë substanca të rrezikshme. Këto lëngje, përmes reshjeve të shiut, përfundojnë në kanalizime, dhe duke qenë se vetëm një përqindje e vogël e tyre trajtohet, ato përfundojnë drejt e në lumenj apo në ujin që e përdorim për ujitje e pije”, ka thënë Morina.
Sipas ekologes Morina, mënyra më efektive për parandalimin e këtij fenomeni është gjobitja.
"Përveç fushatave vetëdijesuese, gjobitja është masa që do të kishte efekt. Në vendet evropiane nuk sheh mbeturina në rrugë, sepse ligji funksionon. Edhe te ne ekziston ligji, por nuk funksionon”, ka theksuar Morina.
Rrugën që e lidh Prishtinën me Fushë-Kosovën e menaxhon niveli qendror, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Por, sipas Morinës, edhe në nivel komunal situata nuk është më e mirë. Tha se komunat i kanë iniciuar rreth 5.000 raste për ndotje, por vetëm 70 prej tyre janë dërguar në gjykata dhe nuk ka informacion nëse shkelësit janë gjobitur.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor qysh të hënën, se pse pas kositjes nuk janë larguar edhe mbeturinat, por nuk ka marrë përgjigje.
