Pa marrëveshje për presidentin ka përfunduar takimi në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas takimit, që ka zgjatur rreth një orë, Kurti ka theksuar se LDK-ja i ka refuzuar të gjitha ofertat që ua kanë bërë, ndërkohë që Abdixhiku, ka thënë se e konsideron të mbyllur diskutimin për këtë çështje.
Të dy kanë thënë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, por kanë lënë të kuptohet se ditëve në vazhdim do të mund të ketë diskutime mes Vetëvendosjes e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kurti ka thënë se menjëherë pas takimit i ka dërguar mesazh kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, e Abdixhiku është shprehur se LDK-ja nuk mund të bëjë më shumë dhe se e lë të hapur mundësinë për diskutime me partitë e tjera.
Lideri i Vetëvendosjes ka thënë se LDK-së i kanë ofruar postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera, ose postin e kryetarit të Kuvendit.
“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.
Por, Abdixhiku ka thënë se nuk i kana pranuar ofertat pasi konsideron që kjo “nuk është ndarje e pushteteve”. Ai ka theksuar se presidenti i Kosovës nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë.
“Nuk kemi kërkuar asnjë pozicion për LDK-në e as për mua. Me kaq, në këto rrethana LDK nuk mund të bëjë më shumë. LDK-ja e lë të hapur diskutimin me partitë tjera. Nuk kemi dëgjuar asnjë propozim tjetër përveç që presidenti të jetë i Vetëvendosjes. LDK-ja e konsideron këtë çështje të mbyllur që nga ky moment”, ka theksuar Abdixhiku. “Do të bëhemi gati për skenarin më të keq, më të rëndë e më të pakuptueshëm të zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Nga fillimi parimet kanë qenë të qarta, presidenti i Kosovës nuk mund të jetë zgjatim i Qeverisë”.
Në anën tjetër Kurti ka deklaruar se LDK-ja nuk ka konsideruar që asaj i takon presidenti. “Unë nuk mund të bëhem më LDK se LDK-ja. Nuk ka mundësi të ofroj unë diçka që ata nuk më kanë thënë se e kërkojnë. Ne ua kemi propozuar opozitës dikë që e duan më shumë se mua, Konjufcën. Ai është njeriu i dytë më i votuar në Kosovë”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, të cilat i ka quajtur të panevojshme.
“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhje të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete. Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti.
Por, në fund të deklarimit Kurti ka folur edhe për diskutimet më PDK-në, duke thënë se pas takimit me Abdixhikun, i ka dërguar një mesazh kryetarit Bedri Hamza dhe se do të shohin si është e mundur të ecin përpara.
“PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëjë marrëveshje politike blanko ku ata i propozojnë dy kandidatët e ne ua votojmë. Unë i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara, por oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”, ka theksuar Kurti.
Ai ka theksuar se nëse PDK-ja është serioze do të duhej të takoheshin.
Më 28 prill përfundon afati që Gjykata Kushtetueses e ka caktuar për të zgjedhur presidentin. Mospërmbyllja e suksesshme e këtij procesi nënkupton zgjedhje brenda 45 ditëve.
Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 qershor, zgjedhjet duhet të mbahen më së largu më 7 qershor.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.
E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes.