Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për ndalim të përkohshëm të importit të kafshëve të gjalla dhe produkteve të derrit nga Serbia, për shkak të shpërthimit të sëmundjeve “Gjuha e kaltër” dhe “Murtaja Afrikane e Derrit” (ASF) në territorin serb.
Vendimi është marrë pas njoftimeve të publikuara në sistemet ndërkombëtare të raportimit të sëmundjeve – ADIS dhe WAHIS, ku është konfirmuar prania e këtyre dy sëmundjeve shumë ngjitëse.
Ndalimi përfshin importin e gjedhëve, deleve, dhitë dhe derrave dhe produkteve të tyre nga i gjithë territori i Republikës së Serbisë, ka njoftuar AUV-i.
AUV-i ka urdhëruar të gjitha institucionet kufitare, përfshirë Policinë dhe Doganat, që të rrisin nivelin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare, për të ndaluar hyrjen e kafshëve dhe produkteve të ndaluara.
“Kontroll i rreptë do të zbatohet edhe në bagazhet personale të udhëtarëve, për të parandaluar futjen e çfarëdo lloj ushqimi me origjinë derri nga Serbia”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
Ky ndalim mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë.
“Gjuha e kaltër” është një sëmundje virale që transmetohet përmes mushkonjave të llojit Culicoides dhe prek gjedhët, delet dhe dhitë, ku më të ndjeshme janë delet. “Murtaja Afrikane e Derrit”, në anën tjetër, është një sëmundje shumë ngjitëse me shkallë të lartë ngordhshmërie, që prek derrat shtëpiak dhe të egër.
Autoritetet theksojnë se këto sëmundje nuk paraqesin rrezik për njerëzit, pasi nuk janë zoonotike, por rreziku për përhapje në fermat dhe ekonomitë blegtorale në Kosovë është i lartë, prandaj kërkohet bashkëpunim dhe vigjilencë nga të gjithë qytetarët.