Kamerat në vendvotime

KQZ: Do të vendosen për të gjitha proceset zgjedhore, jo vetëm për 23 prill

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar se planifikimi për të vendosur kamera në vendvotime, nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, në një deklarim për media ka thënë se për këtë temë duhet të kihen parasysh disa çështje.

Sipas tij vendosja e kamerave në vendvotime është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ-ja, më saktësisht me rregulloret zgjedhore numër 11/2024 për Këshillat e vendvotimeve dhe numër 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e vendvotimit.

“Këto dhe Rregulloret tjera Zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore”, ka theksuar Elezi.

Sipas tij vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.

“Sipas vlerësimeve të KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve, në qendra të votimit, përkatësisht në vendvotime, në proceset zgjedhore nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë evidentuar parregullsi të cilat kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje. Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor”, është shprehur Elezi.

Ai ka thënë se sipas procedurës së miratuar nga KQZ-ja, vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës. “Ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit”, ka deklaruar Elezi.

Sipas tij ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, që sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme bëhet brenda 60 ditësh pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

“KQZ në ditën e votimit nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive. Në videoregjistrim mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese: KQZ-së, PZAP-it, prokurorisë apo gjykatës dhe jo në rrethana tjera”, ka theksuar Elezi.

Ai gjithashtu ka folur edhe për listën votuese për procesin e votimit për shkarkim të kryetarëve të katër komunave në veri.

Elezi ka thënë se KQZ-ja ka ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore për krijimin e Listës së Votuesve për procesin e votimit më 21 prill 2024.

“Sipas vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës së votuesve për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut është: 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para një viti, më 23 prill 2023. Në votues të rinj përfshihen të gjithë ata persona që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill 2023 apo persona që më herët nuk kanë qenë në Listën e kaluar votuese, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil apo votues që kanë ndërruar komunën pas atyre zgjedhjeve”, ka thënë ai duke shtuar se kjo është një rritje e natyrshme e numrit të votuesve, siç sipas tij ndodh rëndom nga një proces zgjedhor në tjetrin.

“Gjithashtu, lidhur me deklarimet se numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve rezidentë, sqarojmë se Lista e Votuesve nuk përmban vetëm qytetarët me të drejtë vote që jetojnë momentalisht në një vendbanim të caktuar, por edhe qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit”, është shprehur”, Elezi.