Arbëri

Partitë shqiptare ende të papozicionuara rreth votimit të nënkryetarit serb

Kuvendi i KOsoves

Foto: Driton Paçarada

Partitë politike shqiptare nuk kanë pozicionim të qartë pro a kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, sipas vendimit të nxjerrë ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese. Njohësi i çështjeve politike, Ardian Zeqiri, shpreh mendimin se Vetëvendosja do të votojë pro nënkryetarit serb në momentet e fundit, e opozita do të abstenojë nga frika se mund të kualifikohet si pro serbe. E si zgjidhje për këtë, profesori i së drejtës Kushtetuese, Zahir Çerkini, propozon votimin në paketë

Në asnjërën prej partive politike shqiptare ende nuk kanë bërë të qartë se çfarë qëndrimi do të mbajnë gjatë seancës konstituive për sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit, të cilin do ta propozojë Lista Serbe.

Në Lëvizjen Vetëvendosje një ditë më parë thanë se kjo do të varet nga rrjedha e seancës, ndërsa në partitë deri tash opozitare nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse janë për a kundër nënkryetarit të pestë që e nxjerr subjekti serb.

Por, njohësi i çështjeve politike, Adrian Zeqiri, thotë se me gjithë kundërshtimin që LVV-ja ka ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen, ajo do ta respektojë ligjshmërinë, duke e votuar në moment të fundit një kandidat të Listës Serbe për anëtar të kryesisë së Kuvendit.

“Unë mendoj se Lëvizja Vetëvendosje deri më tash i ka implementuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dhe se, kundërshtinë të cilën e kemi pa ndaj vendimit të fundit është kundërshti politike, mirëpo kur të vjen fundi do ta implementojë. Mirëpo, ajo sigurohet që ajo të jetë e pastër në kuptimin e qëndrimit politik të cilën dëshiron ta plasojë tek masat, që ne ishim kundër, po ja, këta nuk po na lejojnë dhe ne po duhet patjetër ta implementojë”, tha ai.

Ai thotë se LVV gjatë gjithë kohës ka tentuar të krijojë narrativë se, si e vetme, po e lufton influencën e Beogradit zyrtar nëpërmjet Listës Serbe, e të cilën po e mbrojnë opozita dhe gjykatat.

Për shkak të kësaj narrative, Zeqiri thotë se partitë deri tash në opozitë - PDK, LDK e AAK - nuk do të guxojnë që në seancën konstituive të dalin krah zgjedhjes së nënkryetarit serb, ndonëse një gjë e tillë, sipas tij, është kushtetuese.

“Unë besoj që kjo do të jetë ajo qasja e opozitës në një formë abstinence ose mosdeklarimi për çështje të tilla, sepse kanë frikë që gjinden në tytat e narracionit të Lëvizjes Vetëvendosje si pro serbë”, tha Zeqiri.

E për ta larguar atë që e quan “barrë morale”, profesori i së drejtës kushtetuese në universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Zahir Çerkini, thotë se zgjidhja praktike është votimi në paketë.

“Le të votohet njëherësh për dy nënkryetarë, ashtu siç ka qenë praktika para kësaj legjislature”, përfundoi profesori i së drejtës kushtetuese.

Tri ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin me të cilin i ka dhënë të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi, edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.

Për konstituim ka ripërsëritur që deputetët kanë kohë 30 ditë.