Arbëri

KQZ-ja lehtëson votimin për qytetarët mbi 80 vjeç, s’kërkohet certifikatë mjekësore

Mbledhja e KQZ-së

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që qytetarët me të drejtë vote mbi moshën 80 vjeç, të cilët aplikojnë për t’u regjistruar si votues me nevoja të veçanta për të votuar përmes ekipeve mobile në ditën e zgjedhjeve, nuk kanë nevojë të paraqesin apo bashkëngjisin certifikatë të paaftësisë apo diagnozë mjekësore, raporton Ekonomia Online. Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 28 dhjetor. 

Sipas anëtarit të KQZ-së, Arianit Elshani, pas ndryshimit të bërë, regjistrimi i këtyre votuesve mund të realizohet vetëm me paraqitjen e dokumentit të vlefshëm të identifikimit dhe një fotografie të votuesit duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike në KQZ, Besnik Buzhala, tha se sekretariati ka shqetësime lidhur me administrimin e procesit.

“Çka është frika e sekretariatit këtu, në rast që kemi numër të madh të votuesve të cilëve ua largojmë këtë kriter, mundet me cenu numrin e fletëvotimeve që ne i kemi më dispozicion. Që i bie që nëse numri i fletëvotimeve rezervë harxhohet, ne duhet me i marrë fletëvotime prej dengjeve të rregullta të vendvotimeve. Është lehtësi gjithëpërfshirja, por është edhe vështirësi administrimi i këtij procesi”, tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e  Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, vlerësoi se ndryshimi nuk është problematik nëse respektohen detyrimet institucionale.

“Mendoj që nuk ka diçka të keqe anashkalimi i rregullores në mënyrë që të sigurohet gjithëpërfshirja e qytetarëve, por pa i anashkaluar të drejtat dhe obligimet si të institucioneve ashtu edhe të qytetarëve që kanë”, tha ai.

Edhe anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, tha se e mbështet një vendim të tillë.

Ndërsa, Sami Hamiti anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës u dakordua që zgjidhja më e mirë është mosha mbi 80 vjeç.

Sipas të dhënave nga lista votuese e certifikuar nga KQZ, numri i qytetarëve me të drejtë vote mbi moshën 80 vjeç është 48 mijë e 977 votues.

Po në këtë mbledhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi grupin e parë me 283 vëzhguesë për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Besnik Buzhala, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se janë 17 organizata vëzhguese të cilat kanë aplikuar dhe i plotësojnë kriteret ligjore.
Prej tyre tri janë organizata joqeveritare, tri ambasada dhe 11 media.