Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka konstatuar se katër komunat në veriun e banuar kryesisht me serbë kanë vepruar jashtëligjshëm, kur një ditë më parë vendosën për t’u larguar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Krasniqi tha se përveç shkeljeve procedurale, Lista Serbe dëshmoi se punon në interes të Beogradit zyrtar dhe qëllim ka nxitjen e përçarjes mes komuniteteve
Të kundërligjshme e ka vlerësuar ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, procedurën e ndjekur nga katër komunat me shumicë serbe në veri për t’u larguar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Një ditë më parë, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, ai i Leposaviqit, i Zveçanit dhe i Zubin Potokut i kanë mbajtur mbledhjet, në të cilat i kanë zhbërë vendimet e ish-kryetarëve shqiptarë, për t’u anëtarësuar në këtë Asociacion. Krasniqi tha se shkelja qëndron kur propozimi i kësaj pike shtesë u bë nga kryetarët dhe jo nga anëtarët e Kuvendit dhe se gjithashtu ky propozim nuk u miratua si pikë shtesë e rendit të ditës.
Sipas tij, Lista Serbe po vepron në interes të Serbisë për të nxitur përçarje e mosbesim brenda komuniteteve në Kosovë.
“Përtej aspektit procedural, përmes inicimit të kësaj çështjeje, Lista Serbe po dëshmon edhe një herë hapur se ka për synim nxitjen e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit”, ka thënë ai.
Seancat për zhbërjen e këtij vendimi janë të parat në katër komunat, pas atyre inauguruese, e në të cilat jo të gjithë anëtarët e kuvendeve komunale dhanë betimin. Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale, të hënën përfundon afati për betimin e asamblistëve, i cili duhet të bëhet brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve.
“Anëtarët e Kuvendit të Komunës, të cilët nuk e nënshkruajnë betimin ose mandatin në pajtim me paragrafët 3 dhe 4 të këtij neni brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pushojnë së qeni anëtarë”, thuhet në ligj.
Në kuvendet komunale në Zveçan e Leposaviq, një ditë më parë janë bërë zëvendësimet e disa asamblistëve nga KQZ-ja. Ndërkaq në Mitrovicë të Veriut ende nuk është betuar kryetari i Partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandër Arsenijeviq, i cili është në kërkim nga Policia.
Në qershor të këtij viti, në një aksion në fshatin Vallaq të Zveçanit, Policia sekuestroi armë, municion, granata dore dhe zolla në një pronë të Arsenijeviqit. Pas zgjedhjeve, për të shkuar në komunë për betim, ai ka kërkuar garanci nga institucionet se nuk do ta arrestojnë. Në një përgjigje për KOHËN, Arsenijeviq tha se ndihet i frikësuar të kthehet për shkak të, siç tha, linçimit publik që ia ka bërë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Për shkak të deklaratave të tilla dhe fushatës së vazhdueshme kundër meje, marr kërcënime me vdekje çdo ditë. Në ato rrethana, ardhja ime në Kosovë nuk do të ishte një akt marrjeje mandati, por do të shndërrohej në një spektakël mediatik dhe politik, domethënë në një fushatë zgjedhore në të cilën do të udhëhiqesha si një ari cirku me zinxhirë, për hir të pikëve politike të dikujt”, ka thënë ai.
Arsenijeviq që ka ikur nga Kosova, thotë se është vënë në dispozicion të autoriteteve për ta kontaktuar në çdo kohë. Në Ministri të Punëve të Brendshme nuk i kanë komentuar deklaratat e tij. E në Polici dhe Prokurorinë Speciale nuk janë përgjigjur se deri ku kanë shkuar hetimet ndaj tij.