Mungesa e përkthyesve për gjuhët zyrtare vazhdon të jetë sfidë në institucionet publike në Kosovë. Për shkak të mungesës së stafit të rregullt, Zyra e Kryeministrit ka kontraktuar përkthyes përmes procedurave të prokurimit, ndërsa edhe në sistemin gjyqësor shkaku i mungesës së përkthyesve shpesh ndodh të shtyhen seancat. Nga programi i studimit të Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë thonë se një nga mënyrat për ta zbutur këtë problem është bashkëpunimi më i madh mes universiteteve dhe institucioneve shtetërore
Elda Islami
Në mungesë të stafit të rregullt për pozitën e përkthyesit, Zyra e Kryeministrit ka nënshkruar kontrata individuale në vlerë prej 36 mijë eurosh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër përkthim në gjuhën angleze dhe serbe, Zyra e Kryeministrit ka kontraktuar tre persona përmes procedurave të prokurimit, me kontrata njëvjeçare.
Në një përgjigje për Kohën, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Divizioni Gjuhësor aktualisht nuk ka përkthyes të rregullt për gjuhët zyrtare.
“Referuar pyetjeve në lidhje me angazhimin e përfituesve të kontratave të mëposhtme, më lejoni të ju informoj se Divizioni Gjuhësor nuk ka përkthyes të rregullt për gjuhët zyrtare. Janë dy pozita të lira: zyrtar i lartë për përkthim anglisht-shqip dhe zyrtar i lartë për përkthim serbisht-shqip, por edhe pas dy tentativave për të rekrutuar staf, nuk kemi pasur sukses të gjejmë profesionistë adekuatë të fushave përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.
Mungesa e përkthyesve është problem edhe në institucionet gjyqësore.
Shkaku i mospërkthimit të të gjitha provave, ishte shtyrë shqyrtimi fillestar për të akuzuarin Dragan Ristiq, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të ditur se ka mungesë të nëntë përkthyesve.
Nga gjithsej 68 pozita të parapara, 59 janë të plotësuara.
“Aktualisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës funksionon në bazë të sistemit të centralizuar të përkthimit. Në këtë sistem, varësisht nga nevoja, përkthyesit mund të angazhohen nga një gjykatë në një gjykatë tjetër për të mbuluar kërkesat për përkthim. Në këtë mënyrë sigurohet që mungesa e përkohshme e përkthyesve në një gjykatë të mos paraqesë problem për përkthimin e materialeve me shkrim apo për përkthimin me gojë. Menaxhimi dhe koordinimi i këtyre angazhimeve bëhet nga Zyra e Përkthimeve në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila merret me organizimin dhe shpërndarjen e përkthyesve sipas nevojave të gjykatave”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Sipas këtij institucioni, punësimi i përkthyesve, sidomos për gjuhën serbe, mbetet sfidë.
“Sigurimi i përkthyesve është shumë i vështirë, pasi përkthyesit për çiftin e gjuhëve shqip-serbisht janë kuadër deficitar. Është e vështirë të gjenden kandidatë që i njohin rrjedhshëm të dy gjuhët. Ky është problem në nivel vendi, pasi të rinjtë në përgjithësi nuk e mësojnë gjuhën serbe, ndërsa përkthyesit aktualë gradualisht po pensionohen”, thuhet në përgjigje.
Vitin e kaluar Instituti i Kosovës për Drejtësi, pati publikuar raportin “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”, në të cilin theksohej se vetëm në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga monitorimi i 97 seancave gjyqësore, janë shtyrë 16.5% e tyre shkaku i mungesës së përkthyesit.
Këtë problem e kanë identifikuar edhe në Departamentin e Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë.
“Pas një hulumtimi të tregut të punës dhe analizës së nevojave institucionale gjatë draftimit të programit, kemi identifikuar problemin e mungesës së përkthyesve për gjuhët zyrtare. Për këtë arsye, programi ka përfshirë edhe komponentën e përkthimit dhe përgatitjes profesionale të përkthyesve, përveç komponentës së mësimdhënies dhe hulumtimit që përmban”, ka thënë Seniha Krasniqi, shefe e programit të Ballkanistikës.
Sipas Krasniqit, një nga mënyrat për ta zbutur këtë problem është bashkëpunimi më i madh mes universiteteve dhe institucioneve shtetërore.
Ajo ka shtuar se edhe krijimi i një programi master për interpretim do të ndihmonte në përgatitjen e profesionistëve të rinj në këtë fushë.
“Një strategji tjetër që mund të ndihmojë në adresimin e mungesës së përkthyesve dhe interpretove është edhe krijimi i një programi master në Interpretim në kuadër të Fakultetit Filologjik, i cili planifikohet në të ardhmen. Një program i tillë do të ofronte specializim të avancuar për studentët që kanë përfunduar studimet në gjuhë dhe përkthim, duke i përgatitur ata posaçërisht për interpretim profesional në institucione shtetërore, organizata ndërkombëtare, konferenca dhe media”, ka thënë ajo.
Ky program në UP është përballur me sfida rreth akreditimit, në mungesë të stafit për gjuhët ballkanike.