Haxhiu: Buxheti nuk është as i Albin Kurtit e as i LVV-së, opozita ta lërë inatin

1 muaj më parë / 30 tet 2025 15:44
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga LVV-ja, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se në mbledhje ka parë qasje destruktive e kapriço politike. Haxhiu ka theksuar se do të duhej të ishin të gjithë të unifikuar meqenëse, siç ka thënë, nuk ka pasur një situatë të tillë në të kaluarën.

Ajo ka kërkuar që opozita ta lërë inatin sepse siç tha – buxheti nuk është as i Albin Kurtit e as i LVV-së.

“Buxheti mund të shfrytëzohet deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Nëse ne do të kemi zgjedhje të reja edhe në vitin tjetër, nuk do të kemi buxhet as për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, në rast se do s’do të biem dakord për emrin e presidentit/presidentes. Në vend të përplasjes politike, unë sot pashë kapriço politike, qasje destruktive. Në vend se të ishin të gjithë të unifikuar, pasi nuk kemi pasur një situatë të cilën mund ta marrim si shembull nga e kaluara, pasi nuk kemi pasur një situatë të njëjtë në të kaluarën, të paktën sot është dashur të ketë vullnet të dëshmuar politik për t’i tejkaluar bashkërisht këto çështje. Ky nuk është buxhet as i Albin Kurtit, e as i Lëvizjes Vetëvendosje, nëse kanë inate me ta unë sot i ftoj të reflektojnë e të heqin dorë nga këto inate sepse ky është buxhet për qytetarët”, ka deklaruar Haxhiu.

Basha: Planifikoja seancë të jashtëzakonshme nesër, por nuk gjeta mirëkuptim

1 muaj më parë / 30 tet 2025 15:34
basha

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se për shkak të rrethanave “të jashtëzakonshme” politike në vend e ka thirrur Kryesinë e Kuvendit të enjten. Ai ka thënë se ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje për tri çështje.

Ai ka thënë se nuk ka gjetur vullnet politik te partitë politike sa u përket këtyre çështjeve. Basha shtoi se kishte paraparë që të premten, 31 tetor, të thërrasë seancë të jashtëzakonshme.

“Është e vërtetë që në historinë e Republikës nuk ka ndodhur mbledhjet e Kryesisë pa votimin e qeverisë po meqë nuk u votua qeveria, marrë parasysh disa gjëra urgjente kam dashur t’i thërras për  t’i diskutuar. E para ka qenë buxheti i RTK-së. Formën e vetme me ecë përpara e kam parë që ne si Kryesi i themelojmë grupet parlamentare, ndarjen e komisioneve, i votojmë, pastaj kam kërkuar të votohen raporti i RTK-së dhe të ekzekutohet buxheti për RTK-në që duhet të ndodhë  brenda ditës... Çështja e dytë ka qenë diskutimi për buxhetet e tri komunave që kanë mbetë... Çështja e tretë ka qenë buxheti vjetor i Republikës. Në asnjë prej këtyre pikave nuk kam gjetë mirëkuptim”, ka thënë ai.

Çitaku: Pika e vetme e rendit të ditës mund të jetë seanca për qeveri të re

1 muaj më parë / 30 tet 2025 15:24
Vlora Çitaku

Photo: Driton Paçarada

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas mbledhjes së parë të Kryesisë së re të Kuvendit të Kosovës, deklaroi se pika e vetme e rendit e ditës që nuk është e kundërligjshme për trajtim është caktimi i një seance së re për të votuar ose jo qeverinë e re.

“Në emër të PDK-së qartësova se pika e vetme e rendit të ditës që mund të trajtojmë ne si Kryesi është thirrja e seancës së re për të votuar ose mosvotuar qeverinë. Çdo gjë tjetër është shkelje e ligjit është shkelje e Kushtetutës”, është shprehur Çitaku.

“Kosova është në krizë ka nevojë për institucione takimi te presidentja është nesër më mirë vonë se kurrë. Kryetari Krasniqi patjetër që do të marrë pjesë. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Është e qartë që nuk ka shumicë të re parlamentare nuk kemi kohë për taktizime. Duhet të shkojmë në zgjedhje e më pas të ballafaqohemi për sfidat që i ka qytetari i Republikës së Kosovës”, ka shtuar ajo.

Përfundon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

1 muaj më parë / 30 tet 2025 15:21
kryesia

Photo: Driton Paçarada

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën është paraparë të diskutohet funksionalizimin e komisioneve parlamentare, që rëndom janë 14. 

Në këtë mbledhje gjithashtu ishte paraparë të diskutohet edhe rreth miratimit të buxheteve komunale për vitin 2025 për komunën e Prishtinës, Gjilanit si dhe atë të  Zubin-Potokut. 

Mbledhja është mbajtur e mbyllur, ndërkohë që kryetari i Kuvendit Dimal Basha dhe përfaqësuesit e partive politike janë deklaruar pas përfundimit të saj.

Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

1 muaj më parë / 30 tet 2025 14:24 Nga: Valbona Bytyqi
kryesia e Kuvednit

Photo: Driton Paçarada

Ka nisur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën parashihet të diskutohet funksionalizimin e komisioneve parlamentare, që rëndom janë 14. 

Bazuar në këtë numër dhe në formulën për ndarjen e vendeve në zgjedhjet për Kuvend, po qe se AAK-ja e Nisma formojnë grup parlamentar, atëherë Vetëvendosje do të udhëheqë me 6 komisione, PDK-ja me 3, LDK-ja me 2, ndërsa AAK-ja e komunitetet me nga një. 

Por, funksionalizimi i këtyre trupave përpara formimit të qeverisë së re është kualifikuar si veprim jashtë rregullave dhe praktikës parlamentare.

Në këtë mbledhje gjithashtu do të diskutohet edhe rreth miratimit të buxheteve komunale për vitin 2025 për komunën e Prishtinës, Gjilanit si dhe atë të Zubin-Potokut.