Pas muaj përplasjesh dhe kontestesh gjyqësore, Këshilli Prokurorial ka zgjedhur drejtuesit e rinj - Arian Gashi kryesues, ndërsa Dardan Vuniqi zëvendëskryesues. Vendimi është vlerësuar si hap i rëndësishëm për procesin e reformës dhe për zhbllokimin e çështjeve që kanë mbetur pezull në këtë institucion, përfshirë zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit
Këshilli Prokurorial ka arritur t’i zgjedhë drejtuesit e rinj, veprim që është vlerësuar si vendimtar për reformën e paralajmëruar. Kryesues i Këshillit është zgjedhur prokurori Arian Gashi, ndërsa Dardan Vuniqi zëvendëskryesues.
Gashi u zgjodh me katër vota “për”, ndërsa kundërkandidati i tij Milot Krasniqi siguroi dy vota.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas zgjedhjes, kryesuesi i Këshillit Prokurorial premtoi forcimin e integritetit të sistemit prokurorial.
“Zotohem që detyrën të cilën ma keni vlerësuar do ta ushtroj me paanshmëri, transparencë dhe profesionalizëm, duke respektuar çdo herë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Angazhimi im do të jetë i vazhdueshëm për forcimin e integritetit, llogaridhënies, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit prokurorial”, ka deklaruar Gashi.
E, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi dha zotim për ta çuar përpara projektin e përbashkët me kryesuesin.
“Besoj që këtë vlerësim nuk do ta marr si privilegj, por më shumë si përgjegjësi. Andaj, me besim në Zot dhe me dashuri ndaj atdheut, do të realizojmë çdo plan të përbashkët”, është shprehur ai.
Gashi dhe Vuniqi do ta nisin mandatin më 13 mars.
Zgjedhjes së tyre i kanë prirë shumë zhvillime në Këshillin Prokurorial që kanë ndodhur brenda një viti, e të cilat janë parë si betejë mes grupit të prokurorëve që kanë synuar ta mirëmbajnë ndikimin në sistem, dhe të rinjve që janë pjesë e reformës.
Gjatë kësaj kohe u shkarkua ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ndërsa u bënë përpjekje të mos certifikohej zgjedhja e një anëtareje të re të Këshillit. Në të dyja rastet gjykata nuk i dha të drejtë pjesës së anëtarëve të Këshillit që morën këto vendime.
Kritika për mënyrën e shkarkimit të Kelmendit, përveç organizatave të shoqërisë civile, u shprehën edhe nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, dhe e cilësuan vendimmarrjen në Këshill si përpjekje për të penguar reformën.
Zgjedhja e udhëheqjes së re të Këshillit Prokurorial është përshëndetur nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe pararendësja e saj, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu. Të dyja kanë thënë se vendimi i kontribuon reformës së nisur.
Që nga 2023-a Kosova është me ushtrues detyre të kryeprokurorit të shtetit, meqë Këshilli Prokurorial ka refuzuar ta propozojë një emër tjetër përpos Blerim Isufajt, zgjedhjen e të cilit ajo nuk e dekretoi. Pas ndryshimeve në përbërjen e Këshillit, pritet që të adresohet çështja e kryeprokurorit.