Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot janë mbajtur seancat konstituive në të cilat kryetarët nga Lista Serbe e kanë marrë pushtetin nga kryetarët shqiptarë. Kryetarët e rinj janë betuar në sallat e kuvendeve komunale në të cilat kanë qenë të vendosura simbolet shtetërore të Kosovës.
Betohet edhe kryetari i Leposaviqit
Është betuar edhe Zoran Todiq, kryetari i ri i Komunës së Leposaviqit.
Edhe në sallën e Kuvendit Komunal të Leposaviqit, ashtu si në kuvendet e komunave me shumicë serbe të tjera, kanë qenë flamuri i Kosovës dhe fotografia e presidentes, Vjosa Osmani.
Përreth e para Komunës së Leposaviqit janë para forca të Policisë së Kosovës, automjete të KFOR-it, EULEX-it dhe OSBE-së.
Betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq
Milan Radojeviq është betuar si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut.
Radojeviq ka pasuar Erden Atiqin.
Ai është nënshkruar në seancën inauguruese në dokumentacionet që kanë pasur simbolet e Republikës së Kosovës.
Radojevic ka deklaruar se do të punojë për interesin e qytetit të Mitrovicës së Veriut.
Asamblistët shqiptarë i thonë Jakshiqit se s’ka nevojë të frikësohet: Mos polizito
Seanca inauguruese në Mitrovicë të Veriut nuk ka kaluar krejt e qetë të premten. Anëtari serb Marko Jakshiq ka pretenduar se në sallë ka pasur policë civilë e se është ndier i frikësuar. Por, kjo është hedhur poshtë menjëherë nga anëtarët e LVV-së e PDK-së në sallë.
Asamblistja e Vetëvendosjes, Aida Ferati-Doli, ka thënë se ishte e qartë se në atë sallë nuk kishte policë e se nuk ka pasur arsye për frikë.
“Secili prej nesh këtu që kemi në këto ulëse e kemi marrë besimin për atë çka përfaqësojmë kështu që edhe pyetja që është bërë, a frikësoheni a nuk frikësoheni, nuk kemi nevojë për pyetje të tilla. Ne jemi për të konsistuar Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut. Sa i përket policisë unë nuk po shoh e nuk po vërej që ka polic në këtë sallë. Nuk ka nevojë që parafolësi të ndihet i kërcënuar. Jemi këtu për tu betuar në seancën konstitutive të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut”, tha ajo.
E, asamblisti i PDK-së, Emir Azemi, i ka kërkuar Jakshiqit që të mos ta politizojë situatën dhe se aty janë për ta bërë betimin.
“Ne jemi në shtëpinë tonë, në shtetin tonë nuk kemi nevojë me pasë frikë. Nuk ke nevojë me u frikësu nga tjetër kush, nuk e dimë kush është polic, por ne këtu jemi të barabartë nuk ka nevojë me politizu këtë mbledhje solemne ta mbajmë jemi ardhur këtu që të betohemi në mbledhje solemne edhe nuk ka nevojë me u politizu asgjë”, theksoi ai.
Asamblisti serb Marko Jakshiq, duke pretenduar se po ndihet i frikësuar ka kërkuar që nga salla të largohen policët, megjithëse aty nuk janë parë të tillë e nuk ka lëvizur kush.
“Në këtë moment, si kryesues, ndihem i rrezikuar dhe i pasigurt, sepse në këtë sallë, përveç nesh dhe gazetarëve, po qëndrojnë edhe pjesëtarë të policisë. I kam pyetur kolegët shqiptarë nëse kanë frikë nga ne, nga serbët, dhe ata kanë thënë se jo. Do t’ju lutesha që, nëse është e mundur, që të mund të vazhdoj punën dhe të them atë që dua të them, t’i kërkoni policisë të dalë nga kjo sallë. Sepse, besomëni, ndiej sikur një shtet policor po ushtron presion mbi ne, po na kontrollon, po na frikëson, dhe ne nuk jemi të lirë ta kryejmë punën tonë. Nuk ndihem i sigurt, sepse kam parë disa pjesëtarë të policisë me civil brenda sallës. Prandaj, nëse është e mundur, ju lutem t’i kërkoni të dalin nga salla — do të ishte mirë”, tha ai.
Millosh Peroviq betohet si kryetar i ri i Zubin-Potokut
Milosh Peroviq e ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Zubin-Potokut.
Peroviqi në betimin e tij u shpreh se do ta ushtroj detyrën e tij me ndershmëri dhe besnikëri që t’i siguroj Komunës së Zubin Potokut kushte më të mira.
“Unë si kryetar Millosh Peroviq deklaroj së do të kryej detyrat e mia dhe ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri në mënyrë që të krijoj kushte për jetë në Komunën e Zubin Potokut te sigurt dhe të qetë. Si kryetar falënderoj të gjithë na presin plane të vazhdueshme të komunës”, ka thënë ai./ EO
Betohet kryetari i ri i Zveçanit, Miloviq: Do të bashkëpunoj me të gjitha institucionet në Prishtinë
Ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Zveçanit Dragisha Miloviq. Ai ka thënë se përpara i presin sfida, por ka shtuar se duhet të ruhet paqja e siguria në komunë.
"Pas 3 viteve kjo ditë është solemne. Kuvendi po merr përfaqësuesit legjitim në kuvend. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë qytetarët tanë që kanë dhënë për neve. Periudha para nesh nuk do të jetë e lehtë, do të jetë me sfida. Të ruajmë së paku paqen dhe sigurinë në hapësirën e komunës. Çdo familje që banon në Zveçan të ndihet e sigurt”, ka thënë Miloviq pas betimit.
Ai ka theksuar tutje se do të bashkëpunoj me të gjitha institucionet në Prishtinë
“Do të bashkëpunoj edhe me përfaqësuesit e misioneve me KFOR, me EULEX, me OSBE, me të gjitha institucionet në Prishtinë, MAPL dhe juve mediave. Duhet të kuptojmë që qeverisja lokale duhet të jetë e fokusuar të qytetarët. Kushdo që vjen këtu të mirëpritet... për të mirë të qytetarëve tanë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, është betuar edhe Novak Ziviç si kryetar i ri i Graçanicës të premten.
Ziviç me Listën Serbe pati fituar pa balotazh në zgjedhjet e 12 tetorit.
“Epokë të re së bashku me të gjitha komunitetet. Këtu jemi të tregojmë bashkëpunim të përbashkët dhe kjo është vetëm rrugë e drejtë. Çdo vendim do të ketë forcë, iu lus pavarësisht nga distanca politike të kemi respekt të ndërsjellë. Të kemi pjesëmarrje aktive. Nga ky vend përshëndes qytetarët tanë, do ta dëgjojë zërin e tyre, mediat partner aktiv, do të jemi të qasshëm për çdo gjë. Do të jemi të hapur për të gjithë dhe komunën e Graçanicës ta çojmë përpara”.
Milan Dimitrijeviq u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal me 14 vota për, 4 abstenim - shqiptarët abstenuan.

Ndërrimi i pushtetit në veri - Flamujt e fotografia e presidentes në sallat e kuvendeve
Kryetarët e zgjedhur serbë në katër komunat në veri të Kosovës kanë marrë detyrat.
Kryetarët shqiptarë që kanë qenë në krye të komunave kanë kërkuar që kryetarët e rinj të respektojnë ligjet e Republikës, simbolet e saj dhe vendimet që u morën gjatë administratës shqiptare.
Deri tash, para fillimit të inaugurimeve, shihet se gjithçka është gati, bashkë me flamujt e Kosovës e fotografia e presidentes në salla.
Në Zveçan flamujt e fotografia e presidentes janë prezentë, ashtu si edhe në Leposaviq, Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut.
Ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, dhe se po pret që t’ia dorëzojë kryetarit të ri detyrën.
Tek objektet e komunave po qëndrojnë edhe forca të Policisë.
Kryetari i ri i Zveçanit nga Lista Serbe, Dragisha Miloviq, ka arritur në Kuvendin Komunal për seancën konstituive, por nuk u deklarua për mediat. Ai dhe anëtarët e tjerë u nënshkruan në një fletë që mbante stemën e Kosovës.
Menjëherë pas marrjes së detyrës më 2023, kryetarët shqiptarë të komunave patën vendosur flamurin e Kosovës në ndërtesat komunale, që deri atëherë nuk shihej në asnjë institucion në veri.
Foto: Driton Paçarada
Zveçan:










Pamje nga Mitrovica Veriore:

