Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Ballkani Perëndimor stabilizohet vetëm kur të zbehet ndikimi rus

Albin Kurti (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të stabilizohet vetëm kur të zbehet ndikimi rus, veçanërisht në Serbi dhe Republika Sërpska. 

“Brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka as vullnet e as kapacitet për dhunë ndërshtetërore. Problematike është ndikimi hibrid i Rusisë përmes energjisë, ushtrisë dhe mediave. Ndryshimet e vërteta varen nga forcat demokratike në Serbi”, ka thënë Kurti në një intervistë për mediumin zviceran “NZZ”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti ka thënë se Kosova do të ndajë një miliard euro për mbrojtje. 

“Do të krijojmë baza industriale, ndër të tjera me një fabrikë municioni në Gjakovë”, ka deklaruar Kurti. 

Ai ka thënë se Kosova e ndjek një model të Suedisë dhe shteteve baltike në organizimin e forcave të armatosura. 

“Në organizimin e forcave tona të armatosura orientohemi më shumë nga modelet e Suedisë dhe shteteve baltike, veçanërisht në konceptin e mbrojtjes gjithpërfshirëse. Pozita e tyre është e qartë: Kur ke një fqinj të madh, duhet të mendosh ndryshe”, ka theksuar Kurti. “Ne nuk mund të përballojmë kaos përballë një kërcënimi. Na duhet rend i qartë. Çdo qytetar dhe qytetare duhet të dijë saktësisht se çfarë roli merr në rast katastrofe apo lufte”. 

Ai po ashtu përmendi edhe modelin e Polonisë, për “trajnime të përgjithshme sigurie për të gjithë, veçanërisht për t’i trajnuar të rinjtë”. 

Kurti ka thënë se orientimi i Kosovës është i qartë: Perëndimi. 

Ai ka thënë se Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian. 

“Ne duam të bëhemi anëtar të NATO-s. NATO aktualisht ndodhet në një fazë riorganizimi dhe ne duam pos të përfitojmë edhe të kontribuojmë. Po krijojmë një forcë rezervë vullnetare, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, trefishuar shpenzimet për mbrojtje dhe katërfishuar trajnimin e oficerëve tanë në kuadër të NATO-s. Kosova duhet dhe do të jetë në gjendje të mbrohet vetë. Ne nuk e shohim veten si forcë e izoluar, por si pjesë e NATO-s. Prandaj po sigurojmë pajisje ushtarake nga shtetet e NATO-s – nga armët antitank deri te dronët dhe artileria mobile. Ushtria jonë po merr kapacitete modern në këto fusha”, tha Kurti. “Ne nuk balancohemi mes Lindjes dhe Perëndimit. Ne jemi qartësisht të përkushtuar ndaj vlerave të demokracisë perëndimore. Duam të hyjmë në BE dhe NATO”.

Kurti ka thënë se nga Turqia, që është anëtare e NATO-s, Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB2 e po ashtu sisteme tjera. Ndërsa për Rusinë, tha se Kosova ka pasur gjithmonë një distancë të shëndetshme. 

Sa i përket Serbisë, Kurti në intervistë për “NZZ” tha se ajo më nuk mund ta bllojë integrimin evropian të gjithë rajonit. 

“Serbia nuk ka më ‘fuqi vetoje’ mbi rajonin”, tha Kurti.

Ai ka thënë se deri tash Bashkimi Evropian është marrë me atë se kush mund të anëtarësohet dhe jo kush dëshiron të anëtarësohet. 

“Unë angazhohem për një politikë të vullnetit, e jo të pranimit. Deri tash, Brukseli është përqendruar shumë te kush mund të pranohet – më pak te ajo se kush dëshiron të anëtarsohet. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pesë duan të futen në BE – me përjashtim të Serbisë. Vendimtare është: Kush dëshiron të anëtarësohet, të mbështetet. Kosova është duke iu përgjigjur me disiplinë pyetësorit të Komisionit Evropian – janë mijëra pyetje. Ky proces integrimi forcon veçanërisht drejtësinë dhe administratën”, tha Kurti. 

Kurti ka thënë se përballë kërcënimit të Evropës nga Rusia, BE-ja më nuk e ka luksin e “bllokimeve” nga shtetet skeptike. 

Kurti në intervistë ka thënë se fitorja e thellë në zgjedhjet e 28 dhjetorit i jep atij përgjegjësi të jashtëzakonshme. 

Ai ka thënë se ky mandat është për siguri dhe mbrojtje, por ai tha se dëshiron të investojë edhe në fusha tjera. Përmendi ndërtimin e një stadiumi nacional të futbollit me 8000 ulëse e po ashtu ka folur edhe për fushën e energjisë dhe hekurudhat. 

“Po zhvillojmë studim fizibiliteti për një lidhje me gaz me Evropën. Disponojmë rezerva të mëdha të qymyrit, të cilat mbajnë ngarkesën bazë të prodhimit të energjisë. Por, afatgjatë duam të dalim nga qymyri. Gazifikimi është vetëm një zgjidhje kalimtare. Paralelisht po investojmë në energji të ripërtritshme. Përveç kësaj duam edhe të ndërtojmë linja hekurudhore”, tha Kurti. “Hekurudhat janë të gjelbra dhe sigurta. Duam të krijojmë një lidhje hekurudhore mes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe kryeqytetit Prishtinës”. 

Ai tha se linja hekurudhore mund ta lidhë Kosovën më mirë ndërkombëtarisht. 

“Nëse shihni hartën hekurudhore të Evropës, sheh se Kosova na hapësirën e Ballkanit është strukturalisht e lënë anash. Të ashtuquajturit korridoret 8 dhe 10 kalojnë pranë vendit tonë. Por, lidhja veri-jug në Ballkanin Perëndimor, linja hekurudhore 10, mund të na lidhë – veçanërisht në drejtim të Greqisë. Duam të investojmë në mënyrë të synuar”. 

Kurti është pyetur edhe për zgjedhjen e presidentit ku tha se për të kërkohen 2/3 e votave dhe duhet dialog.  Ai ka thënë se në jetë kurrë “s’ka qenë rebel pa kauza”. 

“Gjithmonë kam pasur një qëllim. Sot jam kryeministër me një qëllim”, tha Kurti.