Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Demokracia s'është e fortë pa përfaqësim të barabartë të grave

Kryeministri Albin Kurti shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi - me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se drejtësia e barabartë nënkupton zbatim të plotë të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj në çdo institucion, mostolerim të dhunës në familje dhe diskriminimit, si dhe ndjekje penale të rasteve të tilla.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi - me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Drejtësia e barabartë në Kosovë do të thotë që të drejtat e garantuara nga kushtetuta dhe ligji të zbatohen plotësisht në çdo gjykatë, në çdo vend pune, në çdo komunë dhe në çdo stacion policie. Do të thotë që dhuna në familje dhe diskriminimi nuk tolerohen, justifikohen ose fshihen, por ndiqen penalisht dhe parandalohen. Do të thotë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë ka qasje të barabartë në arsim dhe mundësi cilësore për jetë dhe karrierë. Drejtësia e barabartë do të thotë që gratë nuk janë vetëm votuese, por edhe vendimmarrëse. Do të thotë përfaqësim i barabartë në politikë, lidership, në institucione publike dhe pjesëmarrje kuptimplote në formësimin e së ardhmes së vendit tonë. Sepse një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar”, ka thënë ai, raportoi EO.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se të drejtat e grave janë standard për mënyrën se si një shoqëri e kupton lirinë dhe demokracinë.

Ajo ka theksuar se mënyra se si një vend i trajton gratë dhe vajzat është pasqyra më e ndershme e lirisë së atij vendi.

“Historia na ka mësuar se të drejtat e grave nuk janë dhuratë. Ato janë rezultat i veprimit. Çdo e drejtë që sot na duket e natyrshme është fituar sepse një grua dikur e ka ngritur zërin. Një tjetër ka protestuar. Dikush ka refuzuar ta pranojë padrejtësinë si normalitet. Dhe me çdo veprim të tyre, ato frymëzuan gratë e tjera ta gjejnë zërin e tyre dhe të punojnë së bashku për ndryshim të vërtetë. Këtë e dëshmojnë shumë gra në historinë tonë. Gra që e kanë kthyer bindjen në punë të përditshme”, ka shtuar ajo.

Foto: Driton Paçarada / KOHA

E zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se gratë që shërbejnë në politikë, institucione, akademi, kulturë dhe sport, kanë luajtur një rol thelbësor në formësimin e zhvillimit dhe jetës demokratike të Kosovës.

Drejtoresh Ekzekutive ABGJ, Edi Gusia, tha se promovimi i agjendës së barazisë gjinore kërkon nga të gjithë përkushtim dhe angazhim të përditshëm për zbatimin e kornizës ligjore që garanton barazinë gjinore në mënyrë sistematike, me përgjegjësi dhe llogaridhënie.