Arbëri

Kurti i kërkon Costas rol aktiv për dhënien e statusit të vendit kandidat Kosovës

Antonio Costa dhe Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të luajë rol aktiv për dhënien e statusit të vendit kandidat. Pas takimit me të, Kurti ka thënë se Kosova është plotësisht e përkushtuar për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Ai gjithashtu, kërkoi heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës.

“Duke theksuar faktin që kanë kaluar gati dy vite e gjysmë që nga aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kryeministri kërkoi nga presidenti Costa rol aktiv për dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusin të vendit kandidat”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Kurti ka thënë se kërcënimet për rajonin vijnë nga Serbia, derisa kërkoi që Milan Radoiçiq t’i dorëzohet institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Në takim, kryeministri gjithashtu ngriti shqetësimin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të nën-përfaqësuar në institucionet publike, diskriminohen në punësim dhe të drejtat e tyre shpërfillen në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.