Arbëri

Kurti kërkon kontributin e Francës në dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën

albini

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rolin e rëndësishëm të Francës për sigurinë e Evropës si akter kyç i Bashkimit Evropian dhe kontributin e saj në rajonin e Ballkanit.  Në një takim me ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, Kurti ka nënvizuar nevojën për dhënien e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për Kosovën.

Në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, ata diskutuan për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës, çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale dhe procesin e integrimit evropian.

Kryeministri theksoi rolin e rëndësishëm të Francës për sigurinë e Evropës si aktor kyç i Bashkimit Evropian dhe kontributin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar edhe nevojën për dhënien e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për Kosovën. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës dhe për partneritetin mes dy vendeve tona, duke nënvizuar se vlerat e përbashkëta krijojnë mundësi për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.

Kurti në margjinat e Samitit gjatë mbrëmjes së djeshme u takua edhe me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, me të cilën diskutoi për sigurinë dhe migracionin.

E gjatë adresimit në Samitin e Procesit të Berlinit që të mërkurën është mbajtur në Londër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka prezantuar Serbinë shtet armiqësor të Kosovës. Ai ka thënë se nuk duhet t’i lejohet Serbisë të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi sipas tij kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara.

Të martën, Kurti u prit nga Mbreti Charles III, në Pallatin mbretëror St. James. Para fillimit të Samitit u takua edhe me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ministrin Francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad dhe liderë të tjerë shtetërorë nga vendet anëtare dhe rajoni.