Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka konsensus mes partive parlamentare për konstituimin e Kuvendit, ndonëse ka deklaruar se i ka ofruar dy propozime kompromisi për të zhbllokuar procesin.
“Nuk ka konsensus, sa i përket kompromisit – ne kemi lëvizur”, ka thënë Kurti pas takimit me liderët e partive, duke shtuar se përkundër përpjekjeve të bëra pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, situata mbetet e bllokuar.
“Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.
“Propozimi i parë ka qenë nëse kandidatja për kryetare nuk i merr 61 vota në votimin e fshehtë, atëherë tërhiqet nga kandidatura. Edhe pse ky ka qenë qëndrim i njëanshëm i Haxhiut, unë e respektoj. Ajo nuk dëshiron të votohet dy herë me votim të fshehtë. Kemi lëvizur krahasuar me situatën para të enjtes kur u dha aktgjykimi. Kjo duket që nuk i kishte bërë përshtypje opozitës. Dhe e dyta ishte le ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, marrëveshje në paketë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarët. E pastaj nëse nuk duan votim të fshehtë, le të delegojnë përfaqësuesit në komisionin për votim të fshehtë të cilin mund ta rrëzojnë me votë. Procesi ka mbetur në gjysmë. Ne e kemi deleguar aty Hekuran Muratin, ndërsa të tjerët nuk kanë deleguar. Le t’i delegojnë edhe të tjerët dhe pastaj po e rrëzojmë me marrëveshje atë komision e pastaj marrëveshja politike që kryetarja dhe nënkryetarët të votohen në paketë”, u shpreh Kurti pas takimit.
Sipas Kurtit, këto hapa do të mundësonin ecjen përpara në procesin e konstituimit të Kuvendit, por mungesa e gatishmërisë së opozitës e ka lënë procesin në gjysmë.
Kurti theksoi se “Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk zgjidh mosmarrëveshjet politike” dhe se pas këtij sqarimi nga aktgjykimi, është dashur që partitë të ulen për të gjetur zgjidhje.
“19 prilli ishte dita më e mirë për këtë legjislaturë – momenti kur bëmë hapin drejt ndërtimit të institucioneve. Por këta deputetë kanë nevojë për shtëpinë e tyre, e ajo është Kuvendi. Për ta bërë këtë, duhet të zgjedhim kryetaren dhe pesë nënkryetarët”, shtoi Kurti.
Ai kritikoi PDK-në dhe LDK-në se po e keqlexojnë dhe keqinterpretojnë publikisht aktgjykimin e Kushtetueses.
Takimin e sotëm Kurti e quajti të vlefshëm për shkak të sqarimeve të ndërsjella, por përsëriti se mënyra si po vepron opozita nuk është e shëndetshme për ndërtimin e institucioneve.
I pyetur se si do të veprojë Vetëvendosje në seancën e ftuar për të dielën, Kurti ka thënë se do të shkojë ashtu siç e ka ftuar kryesuesi i seancës.
