Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se e mirëpret heqjen e masave të Bashkimit Evropian, por e ka akuzuar opozitën e kaluar, duke thënë se ajo ia ka vendosur masat më të mëdha financiare Kosovës.
Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të premten, Kurti ka thënë se opozita me mosvotimin e Planit të Rritjes dhe të tri marrëveshjeve më Bankën Botërore, me një vlerë të përbashkët prej mbi një miliard eurosh.
“Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Muajin e kaluar, përkundër insistimit tonë, Kuvendi u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe 3 marrëveshje me bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro, pra mbi një miliardë euro gjithsej, në mungesë të votës dhe vullnetit të opozitës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se uron dhe shpreson që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, “opozita e tanishme të ia heq masat Kosovës”.
Kurti i ka quajtur masat e BE-së ndaj Kosovës të padrejta.
“Ne e mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e masave që i ishin vendosur Kosovës. Ato ishin të padrejta që në ditën e parë, sepse se pari institucionet e Republikës së Kosovës, nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në 4 komunat e vendit dhe se dyti deesklaimi i situatës ishte meritë e institucioneve të Kosovës”, është shprehur Kurti.