Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij synon të arrijë deri në 60 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit, duke e cilësuar këtë objektiv si të arritshëm me “punë, sinqeritet dhe përkushtim”.
Gjatë fjalimit në Këshillin e Përgjithshëm të partisë të shtunën ku u nominua për kryeministër, Kurti ka thënë se rritja e mbështetjes për Vetëvendosjen është e vazhdueshme dhe sipas tij, nëse trendi i rritjes vazhdon si në muajt e fundit, partia mund të afrohet me këtë rezultat.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9%, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60%. Nëse punojmë veçse ne dimë, me sinqeritet dhe përkushtim edhe kjo padyshim është e mundur”, u shpreh ai.
Ai akuzoi opozitën për bllokim të proceseve institucionale, duke thënë se veprimet e saj nuk e kanë mundur popullin, por kanë synuar pengimin e shtetit. Sipas Kurtit, zgjedhjet e reja nuk ishin të domosdoshme, por shtoi se ato mund të jenë të tilla për disa faktorë politikë, por jo për popullin.
“Sa herë po na bllokojnë ne po rritemi. Ata po marrin përgjigje më të fortë nga populli. Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje. Mbase dikush, ndonjë strateg që drejton nga hija veprimet opozitare, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin e shtetin. Kjo po ndodh sepse kemi një opozitë e cila ka kuptuar se nuk mund ta mund popullin, por ka zgjedhur ta bllokojë shtetin. Vullnet i popullit nuk është nen kushtetues, është forcë e historisë që na shpie përpara”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi gjithashtu se qeverisja e tij mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe luftës kundër korrupsionit, duke shtuar se integrimi evropian nuk është vetëm objektiv politik, por pjesë e identitetit dhe vlerave të shoqërisë.
“Evropa për Kosovën nuk është stacion i thjeshtë, por vlerë që e mbajmë brenda nesh”, deklaroi Kurti, duke shtuar se Qeveria po ndërton institucione të bazuara në drejtësi, dinjitet dhe luftë kundër krimit e korrupsionit.
Tutje, ai u shpreh i nderuar që u nominua për kryeministër sërish. Premtoi se me mbështetjen e popullit do t’i kalojnë “sfidat absurde” që po u shfaqen përpara.
“Është nder dhe përgjegjësi e madhe. Është detyrim historik ky që kam ndaj jush. Është detyrim që e kemi ndaj kombit shqiptar dhe Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’do të na ndalë askush. Sytë i kemi te përparimi i kombit tonë. Pa mbështetjen e juaj masive, nuk do të mundeshim të kapërcenim vështirësitë shoqërore e historike që na janë paraqitur në të kaluarën. Me mbështetjen tuaj, do ta kalojmë çdo pengesë, përfshirë edhe këto sfida absurde që po na paraqiten tash. Jemi në një tjetër fushatë, në një tjetër ballafaqim me të kaluarën, që nuk do të vdesë kurrë pa u përpjekur edhe një herë të na e marrë frymë. Jemi këtu të pathyer, me duar të pastra e ballëhapur”, përfundoi Kurti.