Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e gatshme për bashkëpunim më të afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta të të dyja vendeve. Deklaratën e ka dhënë në takimin me kongresistin republikan, Keith Self. Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, takimi është zhvilluar në mjediset e Konsullatës së Kosovës në New York.
“Kryeministri e ftoi kongresistin Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi atë për qëndrimet dhe përkrahjen publike të tij ndaj Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO dhe struktura të tjera euroatlantike, teksa theksoi interesimin dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj për bashkëpunim edhe më të afërt me miqtë tanë në Kongres dhe me qeverinë amerikane në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Kurti e Self, sipas njoftimit, kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në SHBA.
Kurti, sipas njoftimit, ka diskutuar me Selfin për investimet në ngritjen e kapaciteteve të Ushtrisë së Kosovës, vendimet për pranimin dhe shtetasve të vendeve të treta që largohen nga SHBA-ja dhe heqjen e tarifës doganore ndaj produkteve amerikane.
Në takim, është diskutuar edhe për rolin dhe rëndësinë e diasporës shqiptare në SHBA në forcimin e lidhjeve mes dy shteteve.
Kurti e ka ftuar Selfin për vizitë në Kosovë dhe e ka falënderuar për përkrahjen ndaj Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO.
Kryeministri Kurti po qëndron në New York për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Vizita e tij në SHBA, zhvillohet dy javë pasi SHBA-ja njoftoi për pezullim të Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën. E një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit me bazë në Washington ka thënë për KOHËN se veprimi i Kurtit, që “ka shkelur vijën e kuqe” dhe ka çuar në këtë vendim, është, mes tjerash, “përpjekja për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje”. Në një bisedë me KOHËN, ai ka thënë se atë e ka paraprirë edhe një seri veprimesh të tjera që “kanë krijuar ndasi dhe jostabilitet brenda vendit, por edhe më gjerë në rajon”.