Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij janë rritur pagat në sektorin publik tri herë, derisa tha se është punuar edhe në rritjen e punësimit dhe të punës me dinjitet.
Kurti ka thënë në Facebook se papunësia është ulur “nga më shumë se 25 për qind në më pak se 11 për qind”, derisa foli edhe për formalizimin e punësimit, ku tha se kjo ka ofruar punëtorëve qasje në të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj.
Duke folur për 1 Majin si ditë e punëtorëve, Kurti u lavdërua edhe që është trefishuar numri i inspektorëve të punës dhe “do ta pesëfishojmë deri në fund të vitit”.
“Që prej fillimit të qeverisjes sonë po punojmë në dy kahje. Njëra është ajo e rritjes së punësimit, dhe, tjetra, është e punës me dinjitet. Duke u rritur punësimi, zvogëlohet mundësia e shfrytëzimit në punë, ngritet ekonomia, shtohet mirëqenia e gjallërohet shoqëria. Kjo është mundësia dhe efekti i atyre që punësohen, e vlefshme edhe për diçka tjetër të rëndësishme. Sa më shumë të punësuar zvogëlohet mundësia e shfrytëzimit e atyre që veçse janë në raporte pune. Sa më e ulët papunësia, ajo nuk mund të shërbejë si masë kërcënuese për ata që veçse janë të punësuar me mundësinë e zëvendësimit. Kahja e dytë është dinjiteti në punë”, thuhet në shkrimin e Kurtit.
Ai shtoi se duhet punë dhe angazhim “për të rritur mirëqenien e qytetarëve përmes punësimit dhe mbrojtjen e punëtorëve në vendet e punës vazhdon”.